Zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se nuk do të ketë rizgjedhje masive të gjykatësve duke hequr të vjetrit dhe vendosur të rinjtë dhe se reformat në gjyqësor që i ka paraparë Qeveria janë keqinterpretuar. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Osmani ka thënë se do të rritet roli i Këshillit të ri Gjyqësor me ndryshimet që do të pësojnë për zgjedhje dhe disciplinim të gjykatësve dhe kështu do të vihet vetëm kontroll i kualitetit e nuk do të bëhen shkarkime dhe emërime masive.
“Madje dhe njëra nga masat e parapara në planin 3-6-9 është anulimi i ligjit për verifikim të fakteve për disciplinim të gjykatësve sepse mendojmë që është mënyrë apo instrument për presion, por rritje të rolit të Këshillit Gjyqësor në këtë pjesë, kështu që nuk do të ketë rizgjedhje gjenerale të gjykatësve por vendosje të sistemit me qëllim zgjedhjen kualitative të tyre të cilët do jenë të pavarur në funksionimin e tyre”, ka thënë Osmani.

