Amir Bilalli
Njohës eminent të marrëdhënieve ndërkombëtare tregojnë se pas kësaj pandemie shumçka do jetë ndryshe dhe çdo gjë do të ndryshojë në botë. Vaksina si mjet gjeopolitik kushtëzimi vetë se e vërteton këtë tezë. Pas pandemisë, mesiguri se do të ketë shumë humbës, por edhe ndonjë fitues. Në fakt Covid-19 nuk është vetëm një krizë shëndetësore botërore, por njëherit edhe një krizë serioze politike, ekonomike dhe e sigurisë ndërkombëtare. Në fakt që nga Murtaja e Justinianit (vitet 541-542) e deri te “Vdekja e zezë” (vitet 1346-1351), murtajat dhe pandemitë kanë luajtur rol të madhë në ndryshimin e relacioneve ndërkombëtare. Tani si duket me të drejtë analistët botëror, pandeminë “Covid-19” e konsiderojnë si një moment kyç kthese në historinë e sistemit të tanishëm global. Shumë ekspertë thonë se do të vi një rend i ri botëror, duke eliminuar rendin ekzistues. Këso qasje e ekspertëve nuk është vetëm rezultat i një gjendje shpirtërore psikologjike të shkaktuar nga epidemia e koronavirusit, por edhe i realiteteve me të cilët tani më ndeshemi, e do ndeshemi akoma më shumë.
Realisht, çdo luftë e madhe ka krijuar ekuilibër të ri botëror. Këtu shtetet ose i janë përshtatë sistemit të ri të imponuar nga Zoti apo njeriu, duke profituar nga ai, ose e kanë kundërshtuar atë duke dështuar. Për të qenë më konkret, pandemia e korona-virusit dhe reagimet ndaj saj kanë hedhur dritë të fuqishme mbi natyrën thërrmuese të rendit ekzistues botëror, si tipar centrist perëndimor.
Nëse trajtojmë botën ndër shekuj nga këndvështrimi i sistemit botëror, shohim se tre elemente themelore dalin në pah: dislokimi i forcës edhe në subjekte tjera, rireshtime të reja ekonomike, dhe rregulla të reja loje ndërkombëtare. Tani pritet që bota, në masë të madhe ta legjitimoi multipolaritetin e saj të ri. Rendi i gjertanishëm botëror bazohej në epërsinë evidente amerikane në drejtim të disperzimit të fuqisë, por tani 20 vite sistemi botëror sikur nuk është më unipolar siç ishte prej viteve nëntëdhjeta të shekullit që shkoi. Tani si akter i ri botëror me elemente të një superfuqie vjenë edhe Kina, por edhe ndikimi gjithnjë e më i madhë edhe i disa fuqive tjera siç janë Rusia, India, Gjermania, Japonia dhe Turqia. Pra, në fakt asgjë nuk është e përhershme dhe statike në bashkësinëndërkombëtare. Ka autorë që mendojnë se nuk është e mundur të thuhet në bazë të të dhënave që kemi aktualisht se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në disperzimin e forcës globale dhe rajonale pas epidemisë. Nëse mundësia për lindjen e një situate të re në disperzimin globale të forcës për shkak të pandemisë do të jetë i dobët, atëherë rendi botëror do të mbetet i njëjtë. Por, në këtë rast niveli i dytë dhe i tretë i forces që duhet të ndryshojë do të jenë ekonomia dhe normat globale. Madje, mund të presim të ndodhë që shumë kompani multinacionale t’i nënshtrohen njëfar procesi të ri-nacionalizimit të pjesshëm të aktiviteteve të tyre ekonomike në botë, proces i cili faktikisht do të krijojë humbës apo fitues. Tregjet në zhvillim, me baza të mira industriale dhe me fuqi të afta pune, por me afërsi me qendrat kryesore ekonomike të botës, do të sigurojnë mundësi më të mira për përfitime nga ky proces. Tjerat do të dështojnë.
Duhet potencuar se nga aspekti ekonomik, ekuilibri midis globalizimit ose rajonalizimit të zinxhirëve të prodhimit do të jetë në favor të këtyre të fundit, duke hapur rrugë të reja për zhvillim të njësive rajonale të zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit. Më konkretisht, në lidhje me tregjet europiane, Turqia, dhe disa vende të Europës Qendrore e Lindore, do të jenë përfituesit e mirë të këtij procesi, ndërsa në tregun e Amerikës së Veriut, Meksika do jetë ajo që do gëzojë përfitime.
Tani për tani, në planin ekonomik, vështirë se mund të presim një plan të ri të “Marshall”-it. Egoizmat lidhur me vaksinat qartë këte e paralajmërojnë. Objektivat pas Luftës së Dytë Botërore dhe të tanishmet dukshëm ndryshojnë. Ajo që ndodhi në vitin 1948 nuk ishte thjesht vetëm një fond nga SHBA-të për Europën Perëndimore, por një synim i qartë për gjenerimin e organizimit kolektiv dhe bashkëpunimit në mes vendeve të Europës Perëndimore në krye me SHBA-në. “Planit Marshall”, që sot po diskutohej kot i mungojnë të gjitha këto tipare dhe karakteristika. I mungon edhe ideja, edhe vizioni, edhe lidershipi politik. Rendi botëror amerikano-centrik tashmë për një kohë të konsiderueshme po stagnon kurse pandemia momentale vetëm se e thellon këte proces. Në vend të tij, ne jemi dëshmitarë të paraqitjes të një rendi të ri me shumë status quo në bashkësinë ndërkombëtare, në të cilën SHBA dhe Kina do të jenë dy superfuqitë më të rëndësishme në botë dhe pas tyre do radhiten disa fuqi tjera më pak të mëdha, por relevante. Në fakt, rendi i ri ndërkombëtar do të jetë më pak i ngurtë dhe shumë më tepër fluid. Ai do të mundësoje që fuqitë relative rajonale të vendeve të G20 ta rrisin ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Realisht, pandemia aktuale, imponon edhe pyetje tjera të shumta, si – a do të merr dimensione kulturore, ekonomike, politike dhe ushtarake lufta e SHBA-së kundër të ashtuquajturit – “virus kinez”? Apo – a është SHBA e gatshme që ta zëvendësojë luftën e saj kundër terrorizmit global me një luftë të re, kundër pandemive të “prodhuara nga Kina” siç predikonte Tramp ? Përgjigje do jep koha që vjenë, por është fakt se të gjitha shenjat dëshmojnë se SHBA po e ndjek këtë rrugë edhe me Bajdenin. Nga ana tjetër, diplomacia ndërkombëtare që praktikon Kina që nga shpërthimi i krizës si qasje “kooperuese”, është në kontrast të dukshëm me politikën e vetë-izolimit të SHBA-ve. Por, edhe Kina ka treguar dobësitë e veta, për më tepër ajo e ka përdorur donacionet e veta humanitare për shtetet tjera si reklamë dhe armë ndaj kundërshtarëve të saj. Duhet potencuar se Spanja, Çekia, Holanda dhe Turqia patën deklaruar publikisht se kishin pranuar ndihmë shëndetësore të kualitetit të dobët nga Kina. Nga ana tjetër, që nga shpërthimi i pandemisë së korona-virusit, mesazhi që SHBA i dërgoi botës ishte – injorim i pandemisë që rezultoi me shumë viktima, e që më në fund të vjen mesazhi – nuk kemi ide si ta menaxhojmë vet këtë krizë. SHBA pranoi se nuk ka mundësi ta luajmë rolin e liderit në luftën ndërkombëtare me pandeminë, pasi vet pësoi më së shumti nga ajo. Prej këtu, e pritur është se rezultatet e kësaj krize dhe natyra e trajtimit të saj në nivelin kombëtar e global, janë shenja të asaj që mund të pritet në rendin e ri botëror post-pandemik.
Tani në qendra të ndryshme relevante botërore ka shumë nervozë. Edhe raporti i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të UE Josef Borrell, megjithë zbutjeve të fundit të dokumentit, qartë akuzon Kinën për ndërhyrje në punët e brendshme të UE, ndërsa Stoltenberg paralajmëroi aleatët e NATO-s për përpjekjet e rrezikshme të gjigantëve kinezë për të blerë kompanitë kryesore evropiane dhe botërore. Situata e tanishme lehtë prodhon autokratë. E njohur është se çdo autokrat ka nevojë për një cak sulmi dhe për një armik të qartë, me qëllim homogjenizimi të njerëzve të frikësuar dhe të varfëruar rreth tij. Andaj ai duhet t’i japë një fytyrë dhe emër armikut të padukshëm. Si duket nuk ka armik më të përshtatshëm se sa Kina, e cila tashmë po zhvillon një luftë të qetë ekonomike dhe komerciale botërore. Disa thuajnë se mu ky shtet e filloi Luftën e Tretë Botërore me armë biologjike!
Pa dilemë se akterët kryesorë politik botërorë kanë nevojë për ushqim të qëllimeve të tyre. Dikur ishte komunizmi sovjetik, më pas lufta kundër monopolizimit energjetik (kriza e naftës e viteve shtatëdhjeta), pastaj terrorizmi global, kurse tani ja Covid-19.