Reshjet e borës të cilët përfshinë rajonin e Pollogut edhe pse jo në sasi të mjaftueshme, megjithatë kanë ndikim pozitiv tek të mbjellat vjeshtore, kryesisht kulturat bujqësore si gruri, elbi, tërshëra e kështu me radhë. Bora në këtë periudhë është e mirëseardhur sepse i mbron këto kultura bujqësore nga ngrirja, thonë në Agjencia për përkrahjen dhe zhvillimin e bujqësisë, njësia rajonale në Tetovë. Sipas drejtuesve të kësaj agjencie, kulturat bujqësore nuk reagojnë njësoj ndaj temperaturave të ulëta, shkruan gazeta KOHA.
“Siç e dimë, ka kultura bujqësore që mund t’u rezistojnë temperaturave deri në minus 25 gradë Celsius, por ka kultura tjera të cilat në minus 10 gradë Celsius nuk mbijetojnë. Është shumë e rëndësishme që kur kemi temperatura të ulëta të kemi edhe reshje të borës, por jo në sasi të mëdha, sepse kjo ka ndikim tjetër në zhvillimin e kulturës”, thotë Petre Petrevski, drejtor i Agjencisë për përkrahje dhe zhvillimin e bujqësisë – njësia rajonale në Tetovë.
Por, ditë më parë rajoni i Pollogut u përfshi nga reshje të mëdha të shiut, të cilat kanë patur efekte negative në bujqësi. “Problemi kryesor është se reshjet apo vërshimet bartin me vete materiale të ndryshme që ndikojnë keq tek kulturat bujqësore. Me këtë ndryshohet edhe struktura e tokës dhe natyrisht humbet kualiteti i tokës. Dëmi më i madh është nëse uji për një kohë më të gjatë qëndron tek kultura të caktuara, qoftë tek bimët qoftë tek drithërat, por më shumë dëm shkaktohet tek drithërat se sa tek kulturat tjera”, shprehet Petrevski.
Në këtë kohë, nga kjo agjenci nënvizojnë se këshillohen bujqit që të rregullojnë kanale për ujërat sipërfaqësorë që është një masë kryesore për të mbrojtur të mbjellat. “Bujqit gjithnjë rekomandohen që të rregullojnë të ashtuquajturit ujëra sipërfaqësorë, me qëllim që uji të mos qëndrojë në atë pjesë ku ka të mbjella, por të vazhdojë rrjedhën e tij. Një këshillë tjetër është që nëse ka kanale për ujitje të njëjtit në kohë të caktuar duhet që të pastrohen që të mos vijë deri tek vërshimi nëpër prona të mbjella” nënvizojnë nga Agjencia për përkrahje dhe zhvillimin e bujqësisë, njësia rajonale në Tetovë.
Pandemia e Covid 19 megjithatë edhe në këtë sferë ka patur ndikim, por jo si sferat tjera. “Sigurisht se ka patur efekt, por jo shumë, ngase edhe në kohën kur kishte orë policore bujqit kanë mundur që të punojnë pronat e tyre, sepse nuk kanë patur kontakte me persona tjerë dhe punët kanë mundur t`i bëjnë në mënyrë individuale. Kështu që, efekti i pandemisë Covid 19, nuk është si në segmentet tjera”, theksojnë nga kjo agjenci. Krahas kësaj, nga kjo agjenci këshillojnë që masat për mbrojtjen e kulturave bujqësore si gjatë kohës kur ka reshje të shiut edhe të borës, masat duhet që të merren në kohë. (koha.mk)