Bisedat e përgjuara ilegalisht ku flitet për rastin “Kosmos” dhe projektin “Qyteti i diellit” mund të përdoren si argument në gjykatë. Kështu ka vendosur mbrëmë Gjykata e Apelit në Shkup duke ndryshuar kështu vendimet paraprake të Gjykatës Penale pas ankesës së Prokurorisë Speciale Publike. Në rastin e rrënimit të objektit “Cosmos”, i koduar “TNT”, i akuzuari i parë është ish kryeministri Nikolla Gruevski, ndërsa në rastin “Toplik” i akuzuari i parë është ish ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakievski.
Bashkë me ta në të dy rastet e hetuara nga PSP të akuzuar janë gjithsej 13 persona. Arsyetimi i prokurorëve të PSP-së në të dy seancat e hapura në Gjykatën e Apelit ka qenë se të akuzuarit në këto lëndë nuk janë viktima të përgjimit, por ata kanë qenë pjesë e pushtetit, i cili ka përgjuar masovikisht në mënyrë ilegale. Avokatët e të akuzuarve nga ana tjetër kanë thënë se bisedat e përgjuara nuk janë siguruar në mënyrë ligjore dhe përdorimi i tyre është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi shkelet privatësia e të akuzuarve.
Gjykata e Apelit Shkup po ashtu ka lejuar që “bombat” të shfrytëzohen si dëshmi në procesin gjyqësor të koduar me emrin “Tenderët”, ku ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska është akuzuar për tenderin për kryerje të punimeve ndërtimore në Muzeun e VMRO-së, nga projekti “Shkupi 2014”.
Përveç këtyre bisedat e përgjuara ilegalisht janë pranuar si dëshmi edhe në lëndën “Treqind” ku i akuzuar është ish ndihmës ministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, si edhe në rastin “Dhuna në Qendër”, në të cilin është i akuzuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski, pasi në një bisedë dëgjohet duke kërkuar që të gjendet një person i cili do të godas me shuplaka kryetarin e Komunës Qendër, Andrej Zhernovski. Gjykata nuk ka lejuar që bisedat e përgjuara të përdoren në rastet “Titanik”, “Tenk”, “Tifani” dhe “Trevnik”. Arben Zeqiri /SHENJA/

