Me brohoritje dhe festë, banorët e Zhelinës e përcollën Blerim Sejdiun deri në Komunë, i cili në zgjedhjet e fundit lokale fitoi mbështetjen e shumicës së zhelinasve. Pasi mori mandatin që të kryesojë në Zhelinë për katër vitet e ardhshme, Sejdiu falenderoi të gjithë ata që i besuan, dhe tha se Komuna do të qëndrojë e hapur për të gjithë, pavarësisht ngjyrave politike. Madje ai u zotua se premtimet e tij gjatë fushatës do ti realizojë një nga një.
” Kjo Komunë do të jet në shërbim të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike. Nderi dhe pasuria e çdonjërit do të jetë e pacenueshme do të thotë gjithë bizneset lokale nuk do të jen të detyruara që të japin haraq por do të jenë partner strategjik . Për këtë gjithsesi që falënderojmë edhe koalicionin me Besë ”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i komunës së Zhelinë.
Ceremonia e pranim-dorëzimit të mandatit u krye edhe në Komunën e Vrapçishtit, ku Isen Shabani mori mandatin 4 vjeçar. Në mënyrë të organizuar dhe me shumë mbështetës u ul në krye të komunës duke shpresuar se do të arrijë të përmbush misionin e tij me dinjitet.
”Nga sot marrim detyrën zyrtare si kryetar i komunës . Për qytetarët 12 vite ka qenë dera e mbyllur nga sot qëndron e hapur për të gjithë qytetarët , do të jem kryetari i gjithë qytetarëve i barabart pavarsisht ngjyrave partiake . Deri dje kemi pas festa, nga sot e fillojmë punën”, deklaroi Isen Shabani, Kryetar i Komunës së Vrapçishtës.
Sejdiu dhe Shabani takuan të gjithë banorët që ishin prezent, dhe premtuan se për çdo brengë dhe nevojë ata lirisht mund të drejtohen te të zgjedhurit e tyre.
Hava Tahiri /SHENJA/

