Hamdi Nuhiju
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ose Alemdar Pollat qysh e kanë dëshirë me thirrë tetovarët, pak para nisjes së kampanjës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme lokale të 20 gushtit organizoi një mori aktivitetesh kulturore. Në kampanjë ka nisur edhe të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi edhe me organizata të ndryshme kulturore dhe akademike që duan pak hapësirë publicitare.
Me para dhe buxhet të komunës në të cilin kontribuojnë qytetarët që nuk kanë bindje politike të njëjtë me Billi Kid, Kasami të gjitha këto organizime i adresoi në konto të kampanjës zgjedhore të Lëvizjes Besa.
Rastësi në këtë botë nuk ka, por po supozojmë se ka! Rastësisht rruga më ra në Tetovë. Rastësisht një merimangë e mori një veturë të parkuar keq. U ndala t`ia shoh tabelat! Tabelat ishin të Gjermanisë.
Në kohën kur të gjithë këtë rrëfim jam duke e shkruar para pc-së, më doli para syve pamja e kameramanëve të Alsatit në një fshat të Tetovës. Nuk iu lejua të incizojnë. Pse? Sepse në një fshat të Tetovës nuk ka ujë. Billi Kid e ka vendos të bëhet Billi Jean!
Daullxhive tetovarët i thonë lodraxhi! A keni dëgjuar ndonjëherë që dikush është çuar në këmbë pse ka ardhur daullxhija? Billi Jean i ka kapur lodrat, surlet, tupanat dhe ka dalë rrugëve me gropa të Tetovës, që votuesve të ardhshëm për t`i ofruar muzikë! Kënaquni, argëtohuni. Zotri kryetar nuk kemi ujë për pije. Nuk ka lidhje, vallëzoni, thotë udhëzimi administrativ nga Billi Jean. Zotri kryetar, janë shtuar qentë endacak. U bëtë bajat me këtë temë. Thuaja se qen endacak nuk ka edhe në Gostivar. Qen endacak më! Mos u merrni me tema të vjetra, por shijojeni momentin, argëtohuni.
Zotri kryetar djalin e kam pa punë. Tregoma emrin dhe mbiemrin, ia bëjmë një kontratë në komunë, edhe kujdes për kë votoni me 20 gusht, sepse kontratën ua bëj publike. Pastaj kush i duron këto portalet.
Tetova, kryeqendra e universiteteve shqiptare, nuk e meriton një trajtim të këtillë! Të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti kanë nevojë më shumë siguri prej qenve endacak, punë pa kushtëzim prej autoriteteve lokale, rrugë të pastra dhe hapësira të mjaftueshme të gjelbra, vendparkingje të reja.
Tetova ka nevojë për politikan që nuk i shajnë, e as i mallkojnë pse nuk i kanë votuar ato.
Politikan të rinj, të panjollosur dhe me dinjitet e që kanë vullnet për ta bërë ndryshimin e madh.
Modele të tilla ka! Unë e di se ka Alternativë për Tetovën! Keni dëgjuar për listën e partisë politike Alternativa? I keni parë emrat dhe profesionet e kandidatëve për këshilltar? A keni parë ndonjë listë për këshilltar që numrin më të madh e ka femra sesa meshkuj?
E përcollët Konventën Promovuese të kësaj partie? Me siguri po! Edhe ju të rrugës nr.67 nga qendra Livadhi e Strugës!
Konventa filloi dhe përfundoj, hapësirat ngelën ashtu si ishin në gjendjen e mëparshme. Askush nuk u dëmtua, askush nuk u hidhërua. Por të gjithë dëgjuan opsionin më të mirë për Tetovën!