Besimtarët katolikë dhe disa kisha ortodokse festojnë festën e madhe të Ringjalljes së Krishtit – Pashkët. Festimet po zhvillohen në kushte të jashtëzakonshme për shkak të masave të marra nga shumë qeveri botërore kundër virusit Korona. Kisha Katolike tashmë ka informuar besimtarët e saj se të gjitha tubimet dhe liturgjitë në një vend janë anuluar për shkak të infektimit të mundshëm. Edhe Vatikani ishte i zbrazët, ku Papa Françesku mbajti meshën në një tempull të boshatisur dhe pa besimtarë në shesh.
“Nuk mund ta përfundoj këtë meshë pa i përmendur priftërinjtë që i ofruan jetët e tyre për Zotin. Priftërinjtë që janë shërbëtorë. Këto ditë më shumë se 60 priftërinj ndërruan jetë në Itali përderisa kujdeseshin për të sëmurët nëpër spitale. Bashkë me mjekët dhe infermieret, ata janë shenjtorët”-tha Papa Françesku- kreu i kishës katolike romake.
Me rastin e festës, episkopi i Shkupit dhe eparku i Strumicës- Shkupit, Kiro Stojanov dërgoi urimet e tij për Pashkët.
“Agjërimin e madh kishim mundësi ta ndjejmë se, edhe krahas arritjeve teknike, disi jemi të ekspozuar në rrezik dhe vuajtje, se në jetën tonë ka periudha të vështira kur nuk e vërejmë prezencën e Zotit. Në këso raste, lehtë mund të na ndodhë të ndjejmë frikë dhe pafuqi dhe të fillojnë të dyshojmë në afërsinë e Zotit. Por, edhe në këso rastesh të frikës dhe shqetësimit, nuk duhet të heqim dorë nga shpresa”-pohoi Kiro Stojanov- episkopi i Shkupit
Ditëve të fundit, autoritetet në Shkup apeluan që pjesëtarët e të gjitha feve, festat t’i kalojnë dhe lutjet t’i bëjnë nëpër shtëpitë e tyre.


