25 Dhjetor
Besimtarë të krishterë, kremtojnë sot momentin me të rëndësishëm të kalendarit Gregorian, lindjen e Krishtit – Krishtlindjet.
Tradicionalisht, në Maqedoni festimi qendror me rastin e festës u mbajt në Kishën katolike “Zemra e shenjtë e Jezusit” në Shkup, ku mbrëmë pati liturgji të shenjtë të mesnatës. Në liturgji morën pjesë edhe presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, zëvendëskryeministrat për Çështje Ekonomike dhe Çështje Evropiane, Koço Angjushev dhe Bujar Osmani, ministri pa resor i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi, Cvetanka Laskova, këshilltare për kulturë e kryeministrit, përfaqësues të korit diplomatik, parti politike, bashkësi fetare.
Krishtlindja u festua edhe në katedralen e Shën Palit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Besimtarët qëndruan për orë të tëra në pritje të meshës së shenjtë, e cila u mbajt nga Imzot Xhorxh Frendo. Në meshën e mbajtur, imzot Frendo ka nënvizuar familjen dhe respektin. Ndërsa në Kishën Ortodokse në Tiranë meshën e ka mbajtur kryepeshkopi Janullatos, i cili një ditë më parë mori edhe shtetësinë shqiptare.
Për besimtarët e krishterë të Kosovës sot në Prishtinë është paraparë të mbahet mesha në Katedralen Nënë Tereza, duke filluar nga ora 11:00. Po në të njëjtën orë në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, do të kremtoj meshën e Ditës së Krishtlindjes. Kurse, nga ora 17:00, do të mbahet mesha në gjuhën angleze, në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë, si dhe në orën 18:00, mesha në Kishën Shën Ndou në Ulpianë, Prishtinë.
Krishtlindjet sot i festojnë edhe Kishat ortodokse greke, bullgare, rumune, ukrainase dhe gjeorgjiane, të cilat e pranuan kalendarin gregorian. Bota tjetër ortodokse e cila udhëhiqet sipas Kalendarit julian, mes të cilëve edhe kisha ortodokse ruse, serbe dhe maqedonase, Partiarkana e Jerusalemit, si dhe një pjesë e murgjve në Malin e Shenjtë, Krishtlindjet i festojnë më 7 janar.

