Alsat 2020-01-30T15:13:07+01:00
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov në takim me homologun gjerman, Mihael Rot në Berlin kërkoi hapjen e negociatave për anëtarësim mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Rot nga ana tjetër siguroi se Berlini po punon për një vendim pozitiv, duke i kërkuar Shkupit t’i vazhdojë reformat.
Nëse dëshirojmë të jepet inkurajim i mëtejshëm procesit të reformave, të mos minohen arritjet e vendit si dhe të ruhet kredibiliteti dhe ndikimi i BE-së në rajon, është e domosdoshme të shfrytëzohet rasti i parë për miratimin e vendimit të shumëpritur dhe të merituar”-pohoi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Ndajmë dëshpërimin për shkak të pamundësisë që Maqedonia e Veriut të bëjë hapin e merituar, përpara. Do t’i vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta për arritjen e këtij qëllimi në periudhën vendimmarrëse përpara nesh. Paralelisht, fokusi të mbahet në reformat evropiane në shtëpi”-theksoi Mihael Rot, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Në prag të vizitës në Shkup, Raportuesi i BE-së për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kyçuk tha se BE-ja duhet ta korrigjojë gabimin e tetorit të kaluar, pasi dhënia e mesazheve pozitive por pa hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut, e cila ka plotësuar të gjitha kushtet, do të ishte në dëm të vetë BE-së dhe do të dekurajonte pro-evropianët. Në intervistë për portalin, European Uestern Balkan, Kyçuk theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të prillit në formësimin e perspektivës evropiane të vendit, duke pritur nga qeveria e ardhshme e Shkupit të vazhdojë me reformat dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Anëtarësimi në BE duhet të jetë kauzë kombëtare dhe jo qëllim i vetëm një partie politike. Kjo kërkon që të gjithë politikanët dhe shoqëria civile t’i lënë anash dallimet dhe të fokusohen në kauzën e përbashkët, që gjithnjë shkon përmes mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.”-tha Ilhan Kyçuk, raportues i BE-së për Maqedoninë e Veriut.
Ndryshe, takimi i kryeparlamentarëve të rajonit dhe Kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sasoli përfundoi me një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës i bëhet thirrje Këshillit Evropian të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të jep mesazh pozitiv për fillim të negociatave për anëtarësim.
Anesa Salihu
Loading…




