14 Dhjetor
Hekurudha nga Beljakovcka deri në Kriva Pallankë, në gjatësi prej 34 kilometrave, do të ndërtohet me mjete evropiane. Maqedonia ka marrë grant gjegjësisht mjete të pakthyeshme, në vlerë prej 68,6 milionë euro, të destinuara për fazën e dytë të hekurudhës me Bullgarinë. Investimi i përgjithshëm për realizimin e këtij aksi është 146 milionë euro. Këtë shumë shteti paraprakisht e siguroi përmes kredisë nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim. Nga Ministria për transport dhe lidhje informojnë se si rezultat i grantit të fituar do të përdoret vetëm një pjesë e këtij borxhi gjegjësisht rreth 80 milionë euro. Pjesa e parë e hekurudhës nga Kumanova deri në Beljakovcë pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Megjithatë, mbetet të ndërtohet pjesa më e vështirë dhe më e shtrenjtë. Bëhet fjalë për aksin nga Kriva Pallanka deri në kufirin bullgar, që pritet të kushtojë prej 350 deri 400 milionë euro. Ministri, Goran Sugareski së fundmi deklaroi se i tërë projekti do të përfundojë deri në vitin 2025.
Ndryshe, Komiteti Drejtues i Instrumentit për kornizë Investuese për Ballkanin Perëndimor dje, krahas parave për hekurudhën, Maqedonisë i miratoi grant në lartësi prej 1 milion euro për përpunimin e dokumentacionit teknik të autostradës drejt kalimit kufitar Bllacë. Ky është një prej projekteve më të premtuar në vend. Bëhet fjalë për aksin në gjatësi prej 13 kilometra, ku pritet të kushtojë 100 milionë euro. Nga ana tjetër e kufirit gjegjësisht në Kosovë, po punohet në mënyrë intensive. Para një muaji, mediat kosovare njoftuan se autostrada “Arben Xhaferi” nga Prishtina deri në Bllacë në gjatësi prej 55 kilometra, do të përfundoj në vitin 2018-të.
Mirko Trajanovski

