Bashkimi Demokratik për integrim ka reaguar pas vendimit gjyqësor për rastin “Kumanova” duke insistuar se vetëm një hetim ndërkombëtar mund ta zbardhë rastin. Në kumtesën e BDI-së dërguar mediave ka shumë paqartësi. Nuk qartësohet nëse partia në pushtet vlerëson se procesi gjyqësor ka zbardhur rastin dhe nëse ashtu siç kanë shkruar, pranojnë përfshirjen e zyrtarëve shtetëror në inskenim të rastit. Në kumtesën e BDI-së shkruan kështu.
“Procesi i gjykimit dhe dëshmitë e protagonistëve nxorrën në sipërfaqe dilemat rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, prandaj qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë të vërtetën e plotë. Pjesë të dëshmive si dhe materialeve me të cilat qytetarët kishin mundësi të njoftohen nëpërmjet mediave aludojnë në përfshirjen e dyshuar edhe të përfaqësuesve zyrtar të institucioneve më të larta të shtetit në komunikim me protagonistët e ngjarjes. Prandaj, ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetit e sundimit të së drejtës që të përfshijnë ekspert ndërkombëtar në hetimin e rastit si dhe të vendosin komunikim dhe bashkëpunim edhe me autoritetit e Kosovës dhe Shqipërisë në shkëmbimin e informacioneve drejt zbardhjes së tërësishme”, ka shkruar BDI.

