Degët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Turke (PDT), në Gostivar, zyrtarizuan marrëveshjen e koalicionimit për raundin e dytë zgjedhore të datës 29 tetor.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i degës së BDI-së, Nevzat Bejta dhe kryetari i degës së PDT-së, Muhittin Kahveci, i cili theksoi që arritja e këtij koalicioni nuk është diçka individuale por vendim i shumicës dhe ky koalicion ka një kohë që pritje të ndodhte.
Ndërsa, Bejta tha se ky është një koalicion i natyrshëm që nuk e bëjmë për interesa e anëtarëve të PDT-së apo BDI-së. “E bëjmë për qytetin dhe qytetarët e Gostivarit. Ne së bashkë me PDT-në dhe partnerët e tjerë të koalicionit e marrim për sipër që ta realizojmë programin tonë parazgjedhor”, tha Bejta.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u ra dakord që në ditët e ngelura të fushatës, shtabet zgjedhore të dy partive politike do të bashkëveprojnë dhe do të punojnë në fitoren e përbashkët të 29 tetorit.

