Thomas Markle, babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, është rikthyer në paraburgim federal në Florida, pasi dyshohet se ka hequr byzylykun elektronik të monitorimit, të vendosur si kusht për lirimin e tij në pritje të gjykimit.
82-vjeçari u paraqit të martën para një gjykatësi federal në Tampa të Floridës, i cili vendosi t’i mohojë lirimin me kusht. Sipas dokumenteve gjyqësore, Markle kishte hequr pajisjen e monitorimit në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë.
Gjykatësja federale Lindsay S. Griffin konstatoi se ai kishte shkelur kushtet e lirimit para gjykimit dhe urdhëroi rikthimin e tij në paraburgim.
Në vendimin e saj, gjykatësja e cilësoi të papërshtatshme situatën e strehimit të Markle, duke argumentuar se nuk ekzistonte asnjë kombinim kushtesh që mund të garantonte sigurinë e personave të tjerë dhe paraqitjen e tij në gjykatë.
Ajo urdhëroi gjithashtu kryerjen e një vlerësimi mjekësor për 82-vjeçarin, duke kërkuar që atij t’i jepen të gjitha medikamentet e nevojshme dhe të përshkruara nga mjeku.
“Kushtet e lirimit janë urdhra gjykate, jo sugjerime”, deklaroi prokurori federal për Kaliforninë Qendrore, Bill Essayli, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shtuar se autoritetet do ta ndjekin çështjen deri në fund të procedurave ligjore.
Thomas Markle u arrestua javën e kaluar, pasi FBI kreu kontrolle në disa ambiente magazinimi në Los Anxhelos, të regjistruara në emrin e tij dhe të marra me qira që prej vitit 2008.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, agjentët sekuestruan rreth 78 materiale, përfshirë negativë filmash, diapozitiva dhe libra, të cilat dyshohet se përmbanin materiale me imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve.
Dëshmitarët dyshohet se e kanë identifikuar pozitivisht Markle në dy prej imazheve të sekuestruara. Sipas dokumenteve të hetimit, personi i shfaqur në to duket të jetë në moshën 30-40 vjeç, çka sugjeron se materialet mund të lidhen me ngjarje të ndodhura disa dekada më parë.
Markle akuzohet për një vepër penale, atë të posedimit të imazheve të pahijshme të fëmijëve. Ai i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të neveritshme”.
Babai i Meghan Markle u paraqit në gjykatë edhe pas arrestimit të parë, ku iu caktuan disa kushte për lirimin në pritje të gjykimit, përfshirë qëndrimin në arrest shtëpie dhe mbajtjen e pajisjes elektronike të monitorimit.
Ndërkohë, marrëdhënia mes tij dhe vajzës së tij është ndërprerë prej vitit 2018. Sipas BBC-së, Meghan kishte ndërprerë kontaktet me të edhe më tej gjatë vitit të kaluar, pasi i kishte komunikuar se ajo dhe autoritetet kishin dijeni për dyshimet lidhur me abuzimin e vajzave të mitura.
Në një deklaratë të mëparshme, dukesha konfirmoi ekzistencën e një letre që i kishte dërguar të atit, duke shprehur shqetësimin e saj të thellë për fëmijët që mund të jenë dëmtuar. Ajo kishte bërë të ditur gjithashtu se nuk dëshironte që babai i saj të kishte kontakte me fëmijët e saj.



