Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj tre personave të dyshuar si operativë të lidhur me Iranin, të cilët akuzohen për organizimin e një serie komplotesh dhe sulmesh të planifikuara në SHBA dhe Evropë, përfshirë edhe një tentativë sulmi ndaj bazës ajrore britanike RAF Fairford.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, agjentë iranianë dyshohet se kanë organizuar një komplot terrorist pranë bazës ushtarake në Britani, ku ishin të dislokuar forcat amerikane. Ngjarja u regjistrua në shtator, pasi pranë bazës u konstatuan tre furgonë të dyshimtë.
Tre personat e akuzuar janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy nënshtetësi iraniane dhe irakiane, Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi.
Sipas aktakuzës, al-Saadi dyshohet se ka komunikuar me persona në Britani nga një burg në Nju Jork, ku ndodhet në pritje të gjykimit për akuza të mëparshme, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë kanë kryer komunikimet nga Irani.
Departamenti amerikan i Drejtësisë pretendon se tre të akuzuarit kanë planifikuar sulme në disa vende evropiane, të cilat janë marrë përsipër nga një grup i vetëquajtur Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya (HAYI).
Sipas autoriteteve amerikane, nga 18 sulmet terroriste për të cilat ky grup pretendoi përgjegjësinë gjatë pranverës së vitit 2026 në Evropë, shtatë prej tyre ndodhën në Britani. Sulmet përfshinin zjarrvënie të qëllimshme, përdorimin e eksplozivëve dhe, në një rast, një sulm me thikë ndaj dy burrave hebrenj në Londër, njëri prej të cilëve kishte nënshtetësi amerikane dhe britanike.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se aktakuza me tetë pika tregon, sipas tij, përpjekjet e Iranit për të organizuar sulme terroriste në Evropë dhe SHBA.
Ai shtoi se të dyshuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në afro 20 tentativa sulmesh në mbështetje të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah, të mbështetur nga Teherani.
Detaje nga komploti në RAF Fairford
Sipas hetimeve amerikane, në gusht, al-Hassani dyshohet se ka udhëzuar dhe financuar persona në Britani për të kryer veprime paraprake dhe për të siguruar logjistikën e sulmit ndaj bazës RAF Fairford.
Më 22 gusht, ai dyshohet se ka paguar një person për të vëzhguar perimetrin e bazës ushtarake. Në shtator, sipas aktakuzës, janë siguruar furgonë dhe fuçi me karburant, ndërsa janë bërë kërkime për blerjen e përshpejtuesve kimikë dhe objekteve metalike që mund të përdoreshin si copëza shpërthyese.
Tre furgonët dyshohet se ishin maskuar si automjete të një kompanie furnizimi me karburant dhe të një biznesi që merrej me furnizimin e pishinave.
Më 26 shtator, personat e përfshirë dyshohet se janë udhëzuar t’i drejtonin automjetet drejt bazës RAF Fairford. Të paktën dy prej tyre u ndaluan nga një postbllok sigurie dhe nuk arritën të ndiqnin itinerarin e parashikuar.
Në orët e para të 27 shtatorit, tre furgonët u pikasën nga një fermer vendas, i cili po kthehej në shtëpi pas një feste dhe njoftoi policinë. Në automjete nuk u gjetën lëndë shpërthyese, por autoritetet sekuestruan një sasi benzine.
Ndërkohë, Irani ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në incident. Ambasada iraniane në Londër i ka cilësuar pretendimet që lidhin Teheranin me ngjarjen si spekulime të pabazuara dhe dashakeqe.
Pas incidentit, SHBA-ja tërhoqi të gjithë bombarduesit e saj nga baza RAF Fairford. Presidenti Donald Trump kishte përmendur kërcënimet ndaj bazës si arsye për këtë vendim.
Baza RAF Fairford është përdorur prej dekadash nga Forcat Ajrore Amerikane dhe muajt e fundit ka shërbyer si pikë dislokimi për bombarduesit B-1 dhe B-52, të cilët janë angazhuar në operacione në Lindjen e Mesme.



