Opinionisti Adriatik Dosti ka publikuar një reagim kritik ndaj Partisë Demokratike dhe kreut të saj, Sali Berisha, duke thënë se brenda PD-së ka figura që, sipas tij, po e pengojnë ndryshimin politik
Dosti shprehet se demokratët janë të zhgënjyer dhe të lodhur, ndërsa kritikon disa drejtues dhe përfaqësues të partisë, të cilët i akuzon se po e mbajnë peng PD-në.
Ai i ka bërë thirrje Berishës që të mbajë premtimin për pastrimin e partisë nga figurat që, sipas tij, dëmtojnë imazhin dhe besimin e demokratëve.
“Të pastrojmë së pari shtëpinë tonë, sepse që nga aty fillon demokracia”, citon Dosti premtimin e Berishës, duke kërkuar që ai të zbatohet.
Shkrimi i plotë:
Sa shumë PS kemi brenda PD-së…
Ndaj nuk po mundemi dot t’i rrëzojmë as Ramën e as pushtetin e tij kriminal.
Ndaj edhe demokratët janë tepër të zhgënjyer, të lodhur e mosbesues.
Ne kemi në PD një Ramë të llojit tjetër, por pengmarrës partie, njëjtë si ai.
Ne kemi në PD… Tao, Ulsi, Braçe, Maznik, Tom Doshi, Peleshi etj., sa të duash… ani pse quhen Noka, Bardhi, Gjekmarkaj, Balliu, Eno, Ivi, Belo, Bylykbashi etj.
Ne nuk na duhen “demokratë” ekstremistë e militantë me çështje të hapura penale, mashtrues ordinerë e njerëz që fshihen pas PD-së e pas “dashurisë” për ty, o Doktor, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar drejtësisë.
Ne nuk na duhen në PD ata që thyen e sabotuan revoltën e kuksianëve në Rrugën e Kombit, duke i bërë një shërbim të madh Ramës.
Ne nuk na duhen në PD as ai Blushi i Metës, as ai Mediu i Gërdecit, por as edhe ata e ato që kanë ndërruar nga 5 e 6 parti deri më sot, nëse vërtet duam ta rrëzojmë Ramën.
Ne kemi fatkeqësisht në PD militantë të sëmurë ekstremisht, shpirtërisht e mendërisht, që për liderin e partinë as që u plas fare për Shqipërinë.
Ne kemi në PD-në tonë plot Zegjinerë, Sara Mile, Belinda, Elisa, Olta… ani pse quhen Albana, Eda, Jozefina, Floriana, Ina etj.
Ne kemi në kryesinë e PD-së e në krye të degëve të saj plot shqiptarë të mirë e demokratë të ndershëm, sikurse fatkeqësisht edhe plot të tjerë, edhe më të këqij, më të poshtër, më të dëmshëm e më të rrezikshëm se patronazhistët e falangat kriminale të Ramës, që po e mbajnë peng PD-në e demokracinë dhe po shkatërrojnë ëndrrën e çdo demokrati.
Lexoji komentet dhe përgjigjet që u jep gazetarëve ajo zonja (Eda Grimci) që ke në krah në këtë foto, z. Berisha… Lexoji e pastaj thuaju demokratëve të vërtetën që ata duan të dinë: pse s’po e rrëzojmë e pse s’po e përmbysim dot Ramën.
E pra, as banditët e Ramës nuk kanë guxuar t’i fyejnë demokratët e ndershëm, e veçmas gazetarët, sidomos ata të cilët për vite me radhë janë përleshur me shtetin e qeverinë e Edi Ramës…
E pra, për fatin e keq, veçmas të demokratëve të Degës 9, z. Berisha, nuk gjen kërkund, qoftë edhe në mesin e llumit e injorancës së kontingjentit të Ramës, dikë tjetër, aq më shumë femër, që të guxojë të përdorë këtë lloj gjuhe publike rrugaçërore, duke adresuar fyerje të rënda ndaj gazetarëve.
Aq më ndyrë akoma kur zonja juaj, me burrin doganier të Edi Ramës, merr përsipër edhe kurajën e çmendur që t’u çojë atyre edhe mesazhe idiote kërcënuese… “Ke të fala nga burri im” (???).
E imagjinon tani, z. Berisha, se cila është gjuha që kjo Sara Milja blu që ti ke në krah mund të përdorë për të komunikuar me demokratin e thjeshtë, me qytetarin e zakonshëm e me shqiptarin, të cilit Rama i ka ardhur në majë të hundës?
Në PD nuk kemi më dhe kurrën e kurrës nuk kemi nevojë, z. Berisha, për një Evi Kokalari nr. 2 si kjo Grimci që ti mban në krah e në kryesi, sepse thjesht s’na duhet më llumi, por na duhet dinjiteti.
S’kemi më dhe kurrën e kurrës nevojë për Zeqo-Sara, Bela-Elisa e Olta, as për Kumbaro e Manastirliu, ani pse me emra e mbiemra të tjerë.
Të kam njohur për burrë, z. Berisha… Ndaj qëndroju premtimeve të mëdha që u bëre demokratëve ca kohë më parë, teksa publikisht u the: “Të pastrojmë së pari shtëpinë tonë, sepse që nga aty fillon demokracia”.
Saktë… dhe s’e luan topi… Bujrum, bëje, madje me rrënjë e me themel.
Ndryshe, gënjejmë veten e presim të na gënjeni edhe ju… E kështu Ramën e bandën e tij në pushtet aty i kemi jetë e mot… OK.



