Azizi:Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi ka dhënë detaje rreth Propozim-ligjit për lojërat e fatit me qëllim vendosjen e kontrollit më të rreptë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e bixhozit.
Në një deklaratë për “Newsmax Balkans”, Azizi tha se me ligjin synohet t’u ofrohet ndihmë dhe mbrojtje fëmijëve, brezave të rinj dhe familjeve.
“Bëmë ligj, hap pas hapi, në mënyrë sistematike dhe këta do t’i ndalë ligji. Do të kemi kontrolle më të rrepta, pasi deri tash funksiononte pa kontroll dhe pa një mënyrë adekuate për të parë se çfarë ndodhë në esencë në terren”, ka thënë ajo.
Sipas zëdhënëses Azizi, largimi i kazinove ku kryhen edhe aktivitete të tjera do jenë më larg fëmijëve, 500 metra larg shkollave dhe kjo sipas saj, “është një hap i rëndësishëm”.
“Poashtu do të ketë edhe ndalesë të reklamimit të personaliteteve të njohura se kinse kjo është jetë normale- në fakt nuk është, sepse ajo paraqet varshmëri dhe këtu duhej të vendosim rend, është vendim institucional dhe do të veprojmë institucionalisht dhe do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët, para së gjithash fëmijët, të rinjtë dhe familjet. Reklama që joshin qytetarin nuk do të ketë jashtë objekteve ku luhet kumar”, tha Azizi.
Ne, nënvizon ajo, diku 358 faqe ilegale onljan të huaja i kemi mbyllur dhe çdo paraqitje, se ka ndonjë faqe të re, siç tha, “menjëherë intervenojmë përmes institucioneve dhe jemi në rrugë të duhur”.


