Avokatja Snezhana Stefanovska, e cila mbron të akuzuarin Mirsad Qerimi në rastin “Kumanova”, denoncoi fjalë të rënda që tha se ia kanë thënë prokurorët Naum Panovski dhe Villma Ruskovska vetëm sepse mbron një të akuzuar në Lagjen e Trimave.
“Si mund ta mbrosh këtë njeri. A s’të vjen keq për të vrarët”, ishin fjalët që avokatja pohon se ia kanë thënë prokurorët Naum Panovski dhe Villma Ruskovska.
SNEZHANA STEFANOVSKA, AVOKATE
“E theksova të drejtën e barabartë për të gjithë që të marrin pjesë në procedurë ligjore në të cilën kanë të drejtë të dëshmojnë fajësinë ose pafajësinë e tyre pasi të gjithë janë të njëjtë para ligjit. Shpresoj se gjykata do të veprojë sipas provave të prezantuara”
Avokatja ua kujtoi prokurorëve se ata kanë sjellë akuzë paushalle pa prova që do të mbështesnin pohimet e tyre se Mirsad Qerimi është përfshirë me vetëdije në grup dhe se ka kryer vepra terroriste. “Si mund ta akuzoni për terrorizëm dikë që nuk ka pasur as armë. Nuk ka pasur as uniformë. Nuk duket as në inçizimin në CD e as nuk dëgjohet në biseda telefonike”, tha Stefanovska.
SNEZHANA STEFANOVSKA, AVOKATE
“Me provat e nxjerra deri më tani në gjykatë, nuk mund të dëshmohet se Mirsad Qerimi ka bërë ndonjë vepër që mund të kualifikohet si terrorizëm dhe organizim terrorist”
Prokuroria e kishte gjetur ADN-në e Mirsad Qerimit në një bisht cigareje në lagje, por avokatja rikujtoi se Qerimi nuk e mohon praninë por vetëm veprimet terroriste.
Mirsad Qerimi, i cili flet shumë pak, ose thuajse fare në gjykatë, i tha trupit gjykues se ai nuk është terrorist.
MIRSAD QERIMI, I AKUZUAR
“Fjala terrorizëm është fjalë shumë e rëndë, për cilindo. Unë kurrë nuk e kam perkrahur terrorizmin, as familja ime. Për çfarëdo qëllimi që u bë kjo dhe për çkado që ndodhi ngjarja, të gjithë e dinë se nuk ka pasur terrorizëm. Nëse dikush ka bërë terrorizëm ajo është policia”, deklaroi Mirsad Qerimi në gjykatë.
Më së shumti edhe dy seanca gjyqësore do t’u kushtohen fjalimeve përfundimtare të mbrojtjes. Ka mundësi për fjalë edhe prokuroria por fjala e fundit para se të merret vendimi gjyqësor, duhet të jetë doemos i avokatëve dhe të akuzuarve. Seanca e ardhshme është të martën. Ferikan Iljazi Arifi

