Prokuroria Publike Republikane ka mbajtur një mbledhje, me prokuroren e lëndës Suzana Kusigerska dhe kryetarin e Prokurorisë së Kumanovës, Goran Peshevski. Për shkak të tensioneve që u krijuan në mbledhje, ajo u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër, por ende nuk dihet se kur do të vazhdohet e njejta. Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq beson se kjo mbledhje ka ardhur si pasojë e presionit mediatik, pas zërave se lënda për vrasjen e Almir Aliut mund të rikualifikohet, nga “vrasje me paramendim” në “aksident rrugor”. Ai thotë se në mbledhjen e mbajtur nuk është vendosur ende asgjë, nëse do lejohet që lënda të rikualifikohet, ose të vazhdojë ashtu siç është.
ASMIR ALISPAHIQ, AVOKAT
“Mbajtja e mbledhjes në Prokurorinë Republikane ka të bëjë lidhur me ankesat e paraqitura. Kanë qenë të thirrur edhe nga Prokuroria Publike Themelore e Kumanovës rreth kësaj lënde për vrasjen e vogëlushit Almirit. Ende Porkuroria Publike Republikane nuk ka asnjë qëndrim rreth sjelljes së ndonjë vendimi. Jemi në pritje këto ditë nëse do të ketë përsëri mbledhje në Porkurorin Publike Republikane dhe a do të ketë çfarëdo lloj vendimi për atë se nëse do të qëndrojë kështu siç është kjo vepër penale”.
Alispahiq më tej thotë se familja Aliu vazhdojnë të jenë kundër rikualifikimit të lëndës dhe shpresojnë se një gjë të tillë nuk do ta lejojë as Prokuroria Publike Republikane.
ASMIR ALISPAHIQ, AVOKAT
“Prokuroria Themelore e Kumanovës përmes prokurores mundohen që veprën ta paraqesin si ‘aksident’, që sipas meje hap shumë dilema rreth sjelljes së drejtësisë në vetë procedurën, nga ana e PTHP-së Kumanovë. Kështu ne presim që nga ana e Porkurorisë Publike Republikane të ketë një qëndrim të veçantë lidhur me atë se vepra penale duhet të jetë ashtu siç është dhe sipas akuzës që është në fuqi ligjore”.
Bazuar në këto rrethana, seanca për fjalët përfundimtare që ishte caktuar për më 29 tetor, është prolonguar për një datë ende të pacaktuar.
Ndërkaq, një javë më parë u mbajtë konferencë për shtyp në të cilën familja Aliu dhe avokatët e tyre Asmir Alispahiq dhe Ibrahim Bajrami shfaqën pakënaqësitë e tyre për atë se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Kumanovës. Mes tjerash, ata akuzuan se prokurorja Suzana Kusigerska, po luan rolin e avokates së vëllezërve të Iliq, të akuzuar për këtë rast. Emine Ismaili /SHENJA/

