Kanë filluar fjalimet e mbrojtjes në procesin gjyqësor “Lagjja e Trimave”. Sipas avokates Artene Ademi e cila ishte e para prej avokatëve që filluan me mbrojtjen e klientëve në formë të fjalës përfundimtare, ky proces gjyqësor nuk është i bazuar në Ligje dhe prova konkrete por gjithçka është një sajim banal pasi që akuzat bazohen kryesisht në biseda të përgjuara telefonike për të cilat nuk ka ekspertizë as të zërave të cilat marrin pjesë në bisedë.
“Ky proces do të shkruhet në historinë e gjyqësorit si një shembull se si nuk duhen vepruar gjykatësit dhe prokurorët. Veprimet e koordinuara të gjykatës dhe prokurorëve sollën deri tek një fjalë përfundimtare ku ende nuk dihen kokat e këtij operacioni dhe nuk janë përfshirë sa zyrtar shtetëror e ata që janë përgjegjës për sigurinë e shtetit. Koha do të tregoj nëse qëllimisht po fshihen organizatorët dhe pjesëmarrësit e vërtet të këtij rasti”, deklaroi Artene Ademi.
Sipas avokates Ademi, fjalimi i së cilës ende po vazhdon aktakuza e prokurorisë nuk korrespondon me provat që i kanë nxjerr ata, pasi akuzat flasin dika tjetër, ndërsa provat diçka tjetër.
Edhe në seancën e sotme disa prej të akuzuarave lëshuan sallën në shenjë bojkoti. 7 persona i thanë gjykatëses se nuk duan të jenë prezent në një sallë ku nuk ka drejtësi.

