Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, Áron Orbán, raportohet se është arrestuar këtë të hënë në kuadër të një hetimi për trafikim emigrantësh. Lajmi është bërë publik nga kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili iu referua informacioneve të publikuara në mediat vendase.
Bëhet fjalë për një hetim që lidhet me dyshimet për ndërmjetësim të paligjshëm në pajisjen e shtetasve të huaj me viza dhe leje qëndrimi në Hungari, duke shfrytëzuar lidhjet me persona me ndikim në institucionet shtetërore.
Sipas raportimeve të mediave hungareze, në qendër të hetimeve janë vendosur aktivitetet e një rrjeti kompanish që merreshin me ndërmjetësimin e punësimit të shtetasve të huaj dhe sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për hyrjen dhe qëndrimin e tyre në Hungari.
Kompania Multi Shoot, e lidhur me Áron Orbán, është përmendur në investigimet për këtë skemë. Sipas hetimeve gazetareske, biznesi përfshinte edhe ndërmjetësimin për sigurimin e vizave për shtetas vietnamezë, ndërsa dyshohet se për këtë qëllim janë përdorur edhe procedura që lidhen me regjistrimin e tyre në kurse pranë institucioneve arsimore.
Një tjetër element i hetimit lidhet me dyshimet se janë kërkuar para në këmbim të ndërhyrjeve për përshpejtimin e procedurave të lejeve të qëndrimit dhe punësimit. Në një prej episodeve të hetuara, prokuroria ka përmendur një shumë prej 17 mijë eurosh, që dyshohet se ishte dhënë si paradhënie për sigurimin e dokumentacionit për punësimin e shtetasve të huaj.
Hetimi ka kaluar në disa faza dhe në prill të vitit 2026 autoritetet kishin marrë në pyetje katër persona si të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale. Dy prej tyre ishin vendosur në arrest.
Të hënën, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe punonjësit e Zyrës Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive zhvilluan një operacion të ri në Budapest dhe në dy zona të qarkut të Pestit. Gjatë aksionit u ndaluan disa persona dhe u kryen kontrolle në disa banesa e ambiente.
Kryeministri Péter Magyar reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaroi se, sipas informacioneve të mediave, Áron Orbán ishte ndaluar për dyshime që lidhen me trafikimin e emigrantëve. Ai konfirmoi gjithashtu se hetimet po vijojnë.
Megjithatë, policia hungareze deri në momentin e raportimit nuk kishte publikuar zyrtarisht identitetet e të gjithë personave të ndaluar.
Nga ana tjetër, Viktor Orbán e ka cilësuar operacionin si një goditje me prapavijë politike, duke pretenduar se objektivi i vërtetë është ai dhe se vëllai i tij po përdoret për të arritur këtë qëllim.
“Objektivi jam unë, vëllai im është vetëm një mjet”, është shprehur ish-kryeministri hungarez.
Hetimi pritet të zbardhë rolin e personave të përfshirë në skemën e dyshuar dhe nëse aktivitetet e kompanive të lidhura me vëllain e ish-kryeministrit kanë shërbyer për të lehtësuar hyrjen dhe punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj në Hungari. /Euronews.al
MARKETING
<!–



