Një 15 vjeçar në Mirditë është arrestuar pasi u kap në flagrancë teksa transportonte armë dhe municion.
Në pranga ka rënë i mituri E.S., 15 vjeç, me vendbanim në Burrel.
Sipas njoftimit të uniformave blu, adoleshenti po transportonte 3 granata, 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Ende nuk dihet qëllimi i transportimit të këtyre sendeve nga i mituri, por blutë shprehen se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të rëndë.
Njoftim
Mirditë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”.
Sekuestrohen 3 granata, 1 kallashnikov dhe municion luftarak.
Vihet në pranga 15-vjeçari që u kap në flagrancë teksa transportonte armët dhe municionin.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas po transportonte armë zjarri dhe armë shpërthyese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Sinjali”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, në afërsi të fshatit Fang, teksa transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, shtetasi E. S., 15 vjeç, banues në Burrel.
Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, të cilës iu referuan materialet procedurale për rastin, po kryhen hetime për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve, nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.