Organet greke të rendit kanë arrestuar dy shtetas grekë pranë kufirit me Shqipërinë teksa po përpiqeshin të kalonin me dy atutomjetet që drejtonin 14 refugjatë sirianë. Trafikantët janë arrestuar në vendin e quajtur Kato Pteria të Kosturit.
Siç bëjnë me dije burime policore përtej kufirit shqiptar, ata i prisnin pjesëtarë të tjerë të grupit të cilët do t’i shoqëronin sirianët nëpërmejt Shqipërisë në fillim në Kosovë, më pas në Beograd e prej atje drejt vendeve të Europës qendrore.
Çdo refugjat kishte paguar tek dy trafikantët 1200 euro. Të arrestuarit, të moshës 40 dhe 73 vjeç, janë çuar tek prokurori, ndërsa u janë konfiskuar dhe dy automjetet. Përsa u përket refugjatëve, ata do të ritkhehen në kampin ku qëndronin.
Muajt e fundit policia greke ka kryer arrestime të shumta të personave të cilët përkundrejt pagesës janë përpjekur, në bashkëpunim me trafikantë shqiptarë, të dërgojnë në mënyrë të paligjshme refugjatë sirianë apo afganë drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet rrugëve të tjera pas mbylljes së korridorit ballkanik.