Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy ish-shefa në MPB, të cilët janë akuzuar nga PSP në lëndën “Fortesa” mbrëmë janë arrestuar në Selanik, Greqi, njofton Portalb.mk.
Grujevski dhe Boshkovski afët 4 muaj janë në arrati pasi që Gjykata Penale Shkup 1 u caktoi masë paraburgimi.
Ndryshe, vendimin për paraburgim Gjykata e Apelit në Shkup e dha më 18 korrik, por ai nuk hyri në fuqi menjëherë pasi që pritej vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila vendimin e shpalli më 26 korrik rreth orës 14. Procedura e nevojshme për vendim të arrestimit nga MPB zgjati 7 orë, kohë e mjaftueshme që Goran Grujoski dhe Nikolla Boshkovski të arratisen.
Mediat nxorën informata se të njëjtët gjenden në Bosnjë e Hercegovinë dhe se Goran Grujoski për t’u arratisur ka marrë identitet tjetër, atë të kolegës së tij polic, Vlladimir Varellov. Pasaportë me emër të Vlladimir Varellovit kurse me fotografi të Goran Grujoskit është përpunuar në MPB dhe ky i fundit me po të njëjtën ka udhëtuar për në Bullgari para shqyrtimit të masës së paraburgimit. Gjykata e Apelit u përcaktoi paraburgim si të dyshuar në rastin “Target” dhe “Fortesa” të Prokurorisë Speciale Publike.
Grujoski është i akuzuar për vepra penale “shoqërim kriminel”, “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “falsifikim të dokumenteve”, ndërsa Nikolla Boshkovski akuzohet për vepra penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “falsifikim të dokumenteve”.

