Njoftimi i policisë:
Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:
Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.
Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.
Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.
Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë.
Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.
Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.