30 November
Ndërkombëtarët po përcjellin nga afër zhvillimet rreth arrestimeve të të dyshuarve për terrorizëm më 27 prill në Kuvend. Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejlli vlerëson se arrestimet masive për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, janë zhvillime të rëndësishme dhe se ai po i ndjek me vëmendje të madhe. Bejli tha përgjegjësi duhet të ketë dhe se prokuroria dhe policia duhet të jenë transparente në procedurë.
Policia dhe Prokuroria duhet të jenë transparente në procesin e zhvillimit të këtyre ngjarjeve. Gjithsesi ne dhe BE-ja thamë se përgjegjësit për ngjarjet e 27 prillit duhet të përgjigjen por procesi në të njëjtën kohë duhet të respektojë prezumimin e pafajësisë. Edhe Kuvendi ka rol të rëndësishëm në tërë këto zhvillime – deklaroi Xhes Bejlli, Ambasador i SHBA-ve në Shkup.
Nga ana tjetër ambasada e Britanisë së Madhe rekomandon që zhvillimet e 27 prillit të marrin epilog gjyqësorë. Sipas tyre, institucionet duhet t’i respektojnë procedurat hetimore.
Është e rëndësishme që të respektohen procedurat institucionale dhe rregullat ligjore me transparencë maksimale, që të jetë i qartë i gjithë procesi i ndëshkimit të ngjarjeve të 27 prillit. Kjo duhet të bëhet nëpërmjet një procesi gjyqësor ku do të qartësohen të gjitha faktet dhe informacionet rreth kësaj ngjarje – thanë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup.
Nga Komisioni Evropian nuk komentojnë arrestimet dhe vendimet gjyqësore. Sipas tyre, partitë politike duhet të gjejnë mirëkuptim dhe të veprojnë në bazë të dispozitave ligjore. Megjithatë edhe Komision rekomandon që për zhvillimet e 27 prillit duhet pasur përgjegjësi. Javën që vjen, Kryeministri Zoran Zaev do të takohet me shefin e KE-së, Zhan Klod Junker ku mes tjerash temë bisedimi pritet të jenë edhe 27 prilli dhe arrestimet aktuale.
Adrian Kerimi

