Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani është i angazhuar në kontakte intensive diplomatike përmes ndërmjetësuesve nga Katari dhe Pakistani, të cilat përfshijnë dhjetëra telefonata dhe “diplomaci intensive ndërmjetësuese”, transmeton Anadolu.
Duke folur për agjencinë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, në përfundim të vizitës së tij në Turkmenistan, Araghchi tha se Teherani kishte paraqitur një plan të qartë dhe kushtet për një zgjidhje diplomatike, duke ia lënë hapin e ardhshëm Washingtonit.
“Ne kemi shpallur kushtet tona specifike dhe kemi paraqitur planin tonë të hartuar. Tani gjithçka varet nga shkalla e mbizotërimit të racionalitetit politik në anën amerikane dhe nëse ekziston vullneti për të ndjekur rrugën e mençur të diplomacisë apo, si në rastet e mëparshme, për ta çuar situatën drejt agresionit dhe operacioneve ushtarake”, tha ai.
Araghchi tha se Irani ishte i përgatitur për të dy skenarët, diplomatik dhe ushtarak, “më shumë se kurrë më parë”, duke paralajmëruar se çdo veprim i ri ushtarak apo mashtrim do të marrë një përgjigje “shumë më të ashpër dhe më për të ardhur keq sesa më parë”.
Ai theksoi se Teherani nuk do t’i nënshtrohet detyrimit me forcë.
Rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimi i plotë i negociatave, tha ai, varen nga pranimi pa kushte i “kushteve legjitime” të Iranit.
Lidhur me vizitën e tij në Turkmenistan, Araghchi e përshkroi forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje si një “prioritet të pandryshueshëm” të politikës së jashtme iraniane.
Ai tha se udhëtimi u përqendrua në avancimin e projekteve të mëdha dypalëshe në fushën e energjisë, tranzitit dhe bashkëpunimit ekonomik, pas marrëveshjeve të arritura nga presidentët e të dy vendeve në margjinat e samitit të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura në Awaza.
I pyetur lidhur me vizitën në Pekin të zv/sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Bagheri Kani, kryediplomati iranian i përshkroi konsultimet si pjesë të angazhimit të vazhdueshëm strategjik dhe të sigurisë të Teheranit me partnerët kryesor për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Shkëmbimet e fundit diplomatike vijnë në mes të tensioneve të vazhdueshme mes Teheranit dhe Washingtonit lidhur me bllokadën detare të SHBA-së dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin global të energjisë.
MARKETING
<!–



