“Apokalipsi politik e ka emrin Albin dhe Vetëvendosje”!

“Apokalipsi politik e ka emrin Albin dhe Vetëvendosje”!

Nga Anisa Bahiti

14 shkurti i 2021 do të mbahet mënd gjatë shumë gjatë për ne shqiptarët, veçanërisht për Kosovën. Zgjedhjet e parakohshme politike prodhuan një rezultat apokaliptik, dhe jo vetëm një fitore të thjeshte të Vetëvendosjes. Në 10 vjet VV kaloi nga 10% të rezultatit të zgjedhjeve në gati 50% , nëpër 4 procese zgjedhore në të  cilat është rritur çdo herë, por kësaj rradhe e ka dyfishuar numrin e votave dhe mandateve në krahasim me 2019. VV me fitoren e saj zhduku politikisht Fatmir Limajn dhe Nismën, pavarësisht mbështetjes publike për Jakup Krasniqin që ndodhet në Hage dhe historisë personale politike, në luftë dhe vetë Limajt. VV dje e çoi gati në shkatërrim LDK -në, partinë e Ibrahim Rugovës  e cila, nga 70% të dikurshme, përfundoi diku tek 13%. Elektorati e ndëshkoi LDK jo vetëm për paaftësinë, korrupsionin, papërgjegjshmërinë por mbi te gjitha për tradhëtinë  politike të 1 viti më parë kur rrëzoi qeverinë Kurti, gjysmën e të cilës në degën ku ishte ulur vetë.

Qytetarët e ndëshkuan LDK e Mustafës dhe të Hotit sepse ata për pak pushtet hodhën në kosh parimet e dikurshme të Rugovës, që nuk negocionte kurrë Pavaresinë e Kosovës ndërsa ata për një karrike më shumë, firmosën marrëveshjen e Uashingtonit, sipas të cilës pranuan ndaljen e njohjeve të Kosovës dhe pranimin e diskutimit të statusit dhe të territorit të saj. U ndëshkuan për Minishengenin që jo vetëm e pranuan, por  u sollën sikur të ishin qeveria e rajonit të Novi Pazarit, që të pavarurit kanë vetëm të drejtën të mbledhin taksat vendore. E dhimbshme por e merituar, të shohesh LDK e dikurshme në qeveri me AAK e Haradinajt, sot të dyja bashkë nuk vlejnë as 20%. Nuk kalon as 20% partia e Hashim Thacit, e cila përtej një solidariteti për arrestimet në Hagë bëri një fushatë shumë anemike. Po të mos ishte për një fitore në Drenicë mund të themi se do të zhdukej tërësisht si LDK të cilës tashmë nuk i ka ngelur asnjë bastion. PAN i famshëm trepartiak që qeverisi Kosovën tani nuk vlen as 3%, duke gati zeruar  edhe ish-krahun e luftës politikisht.

Votoi dhe fitoi Rinia e Kosovës. Votoi kundër oligarkisë, kundër korrupsionit dhe krimit, kundër vrasjes së shpresës, kundër shitjes së interesave kombëtare dhe kundër prostitucionit politik. Vetëm në kohën e Revolucionit Xhon Turk që pasoi me kryengritjet e mëdha të shqiptareve në Kosovë dhe më tej, me shpalljen e Pavaresisë së Shqiperisë ka pasur një energji të tillë politike ndërmjet shqiptarëve. Vota e djeshme ka qenë një grusht apokaliptik edhe për mashtrimet dhe tradhëtitë politike të Tiranës zyrtare të këtyre 8 viteve, të cilat në tryezat dhe jaranite me Vuçiçin e kishin hedhur në tavolinë Kosovën si plaçkë, herë me Minishengenin e herë me kurthet e ndryshimeve të kufijve. Dje nga apokalipsi politik i Kosovës erdhi përgjigja për turpet e qeverisë së Tiranës që, ndërkohë që lavdëronte Vuçicin, akuzonte Albinin apo bënte denoncim penal ndaj Rramushit. Një gjë është e qartë “apokalipsi” sapo ka nisur në Prishtinë dhe ai nuk do të ndalet vetëm në këto zgjedhje dhe jo vetëm në Kosovë.