Apeli i Posaçëm i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” për ish-shefin e Forcave Operacionale Oltion Bistri.
Ai u vu në pranga në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, ndërsa kërkesa e tij për masë më të butë sigurie u hodh poshtë.
Oltion Bistri u arrestua në korrik të vitit të kaluar në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kanë videntuar se që nga viti 2015 e në vijim ish-shefi i policisë, por dhe familjarë të afërm të tij, kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 milion euro.
Bistri është nën hetim për “Shpërdorim detyre” pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 10:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 15 akti, datë 28.03.2024 regjistrimi, lidhur me rishqyrtimin e ankimit të personit nën hetim O.B., ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në lëndë të masave të sigurimit personal), dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përkundrejt të hetuarit ankues O.B.