Shoqëria aksionere publike që menaxhonte hapësirën ajrore të Shqipërisë, ka pushuar së ekzistuari. Dy javë më parë, ministria e Ekonomisë në cilësinë e aksionerit të vetëm, ka miratuar çregjistrimin e Albcontrol sha.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit vendosi prishjen pa kaluar në likujdim të shoqërisë Albcontrol sh.a në zbatim të nenit 21 të ligjit Për Ofruesin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror” Albcontrol,” thuhet në vendimin e asamblesë së përgjithshme të aksionarit.
Sipas vendimit, të drejtat dhe detyrimet e Albcontrol sh.a tashmë do të kalojnë tek Enti Publik Albcontrol, i cili do të jetë një ent jobuxhetor.
Mbyllja e shoqërisë publike Albcontrol dhe zëvendësimi i saj me një Ent Publik Jobuxhetor u sanksionua me një ligj të posaçëm dy vjet më parë, si një përpjekje për të shpëtuar paratë e gjobës Becchetti.
Por me sa duket kjo ishte një tentativë e dështuar, pasi të gjitha paratë që ka gjeneruar hapësira ajrore e Shqipërisë prej vitit 2020 mbahen të bllokuara në Bruksel dhe një pjesë e tyre madje janë konfiskuar përfundimisht nga biznesmeni italian.
Sipas të dhënave nga bilanci zyrtar i Albcontrol, deri në fund të vitit të kaluar, shuma e bllokuar në llogaritë e Albcontrol tek Eurocontroli në Bruksel arriti në 18.3 miliardë lekë ose mbi 193 milionë euro.
Edhe pse tashmë kjo shumë ka kaluar detyrimin e gjobës Becchetti, sërish paratë mbeten aty dhe shteti shqiptar nuk mund të tërheqë dot asnjë qindarkë.
Bllokimi i miliardave në Bruksel e detyroi qeverinë të ndërhynte me paratë e qytetarëve për të bërë të mundur mbajtjen hapur të hapësirës ajrore dhe fluturimeve në Shqipëri.
Fillimisht qeveria dha disa kredi për Albpetrol përmes ministrisë së Financave dhe kompanive të tjera shtetërore, por në fillim të këtij viti, Këshilli i Ministrave detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të kalojë 7 miliardë lekë tek Albcontrol, jo si hua, por si injektim kapitali.
Me pak fjalë, përmës këtij operacioni qytetarët shqiptarët paguan drejtëpërdrejtë paratë e gjobës 130 milionë euro të Becchettit, që erdhi pas sherreve personale të kryeministrit Edi Rama dhe oborrit të tij me biznesmenin italian./ Kapitali



