30 November
13 ansamble të këngëve dhe valleve popullore shqiptare nga Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari dhe Strugën, kërkojnë që në Shkup të jetë ansamblit shtetëror shqiptar, formimi i të cilit pritet së shpejti të kaloj në qeveri. Sipas përfaqësuesit të ansambleve, Dritan Ramadani, gjatë themelimit të këtij institucioni shtetëror duhet të përfshihen artistët profesional dhe ata që dhanë kontribut të veçantë për kulturën shqiptare në vend.
Për të qenë i kompletuar ky institucion vlerësojmë që selia e këtij ansambli duhet të jetë në kryeqytetin e Maqedonisë në Shkup, ashtu siç janë Ansambli shtetëror në Tiranë dhe Ansambli kombëtar në Prishtinë. Vlerësojmë se në këtë institucion duhen të përfshihen artistë që me profesionalizmin e tyre kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimit të këngëve dhe valleve shqipe vite me radhë. Shpresojë që iniciatorët e themelimit të këtij ansambli do të marrin parasysh kërkesën e artistëve që veprojnë në ansamblet e lartpërmendura- deklaroi Dritan Ramdani, AKV Bajram Shabani.
Nga Ministria e Kulturës në një njoftim me shkrim mohojnë zërat se Ansambli shtetëror shqiptar mund të ketë adresë ndonjë qytet tjetër përveç Shkupit. Nga ky institucion thonë se gjatë javës që vjen Qeveria pritet të miratoj vendimin përfundimtar.
Ky institucion adresën e themelimit dhe të veprimit të tij do ta ketë në qytetin e Shkupit, është çështje ditësh kur do të vendoset për adresën e saktë pasi Ministria e Kulturës në bashkëbisedim me disa institucione është duke kërkuar hapësirën më të mirë ku do ta vendoste Ansamblin e ri- thonë nga Ministria e Kulturës.
Për funksionimin e ansamblit shtetëror shqiptar të këngëve dhe valleve fillimisht është paraparë të ndahen 800 mijë euro si për pajisje, veshje dhe rregullim të hapësirave. Ansamblet shqiptare veprimtarinë e deritanishme për ruajtjen dhe kultivimin e traditave shqiptare e kanë zhvilluar me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së hapësirave dhe të mjeteve financiare. Aktualisht vetëm se shoqëria TANEC ka statusin e ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve.
Melihate Rustemi

