Alsat 2019-08-04T15:08:56+02:00
Akoma pa u mësuar mirë me emrat e rinj të rrugëve të ndërruara kohë më parë, Qyteti i Shkupit tashmë ka shpallur anketë për mbledhje të propozimeve për emra të rinj të rrugëve, bulevardeve, urave, shesheve, parqeve dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Anketa online për këtë qëllim do të jetë e hapur deri më 18 gusht, ndërsa deri në këtë ditë, propozimet me emrat e rinj do të pranohen edhe përmes postës.
Në bazë të Ligjit për emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, emrat e toponimeve të qytetit “mund të përcaktohen nga veçoritë gjeografike, etnografike, historike dhe të tjera, emri i një personi të shquar në fushën e historisë, shkencës dhe kulturës, emra të tjerë të përshtatshëm, si dhe emra të një ngjarje dhe date të rëndësishme, bazuar në një listë emrash – njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.
Qytetarët shprehen pro dhe kundër kësaj nisme të qytetit të Shkupit. Disa kërkojnë kthimin e emrave të vjetër, ndërsa të tjerët ankohen se ndryshimi i serishëm i emrave do të shkaktojë probleme me dokumentacionin e qytetarëve.
“Nuk duhet ndërruar, të mbeten ashtu si janë. Ato vetëm krijojnë problem për qytetarët. Duhet të ndërrohet letërnjoftimi e shumë gjëra të tjera, çfarë ju mungon rrugëve, këto janë vetëm çmenduri”.
“Mendoj se kjo nismë është pozitive dhe se qytetarët do të deklarohen për ndryshime. Unë kohë të gjatë kam jetuar në “Taftalixhe” dhe nuk do ti kisha ndryshuar emrat si: “Pariska”, “Meksiçka” dhe disa të tjera. Le të mbeten ashtu, janë emra ndërkombëtar, përkatësisht dëshmi për solidaritet për ndihmën që i dhanë Shkupit kur ishte më keq”.
“Të mbeten ashtu siç janë, mirëpo mund të vendosin emra të ndonjë revolucionari, luftëtari. Për shembull, Dame Gruev, Goce Dellçev, Jane Sandanski, ka edhe emra të tjerë”.
Emrat e rinj do t’i shqyrtojë Komisioni i posaçëm i Këshillit të Qytetit të Shkupit. Në njoftimin e qytetit thuhet se qytetarët kanë të drejtë vetëm të propozojnë dhe jo të caktojnë lokacionin e emërimit të tyre. Gjithashtu, nga qyteti i Shkupit, bëjnë të ditur se Ligji nuk do të lejoj propozimet që prishin imazhin e shtetit dhe lëndojnë ndjenjat kombëtare të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Melihate Rustemi
Loading…



