Federata Braziliane e Futbollit ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin italian Carlo Ancelotti, duke i besuar atij drejtimin e kombëtares edhe për katër vite të tjera.
Me marrëveshjen e re, ai pritet të udhëheqë Brazilin deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.
Vendimi është bërë publik pak para nisjes së Botërorit, pasi tekniku italian zhvilloi 10 ndeshje në krye të “Seleçaos”, ku regjistroi pesë fitore, dy barazime dhe tri humbje, që prej emërimit të tij në maj të vitit 2025.
Në deklaratën zyrtare, Konfederata Braziliane e Futbollit vlerësoi punën e Ancelottit, duke theksuar se ai ka fituar besimin e ekipit dhe të tifozëve që nga dita e parë në Brazil.
Edhe vetë trajneri italian u shpreh i lumtur për vazhdimin e aventurës me pesë herë kampionët e botës.
“Kur erdha këtu vitin e kaluar, e kuptova menjëherë sa shumë do të thotë futbolli për brazilianët. Jam shumë i kënaqur që do të vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku edhe për katër vite të tjera”, deklaroi Ancelotti.
Ndërkohë, presidenti i federatës braziliane, Samir Xaud, e quajti rinovimin një moment të rëndësishëm për futbollin e vendit, duke theksuar se projekti synon ta bëjë kombëtaren edhe më konkurruese në vitet e ardhshme.


