Serbia përpos që do të ruante linjat rrugore dhe hekurudhore në Luginë, ajo do të arrinte të shndërronte qytetin e Bujanocit në një qytet me pakicë shqiptare.
Ndryshimi i kufijve në Ballkan është një temë shumë e vjetër. Ndryshimi i kufijve daton që nga koha e rënies së Perandorisë osmane në Ballkan, dhe formimit të shtetit të parë modern serb. Në shekullin e XIX ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk ka qenë vetëm ‘muhabet ode’ e as analizë gazetareske, por një zhvillim i hovshëm brutal i kohës. Serbia për një periudhe shumë të shkurtër kohore prej vitit 1877 e deri 1912 kishte arritur të zgjeronte territorin e vet për disa herë. Mendoj që njerëzit nuk kanë nevojë për ndonjë leksion historie për t’i përkujtuar se si kishin ndodhur këto “ndryshime kufijsh”. Sigurisht që me luftë, gjak dhe dëbime. Sot shumë njerëz kalkulojnë se sa ‘milionë’ shqiptarë jetojnë në Turqi. Disa thonë një milion, disa dy milionë e disa thonë ca milionë. Nuk e dijmë sa milionë shqiptarë jetojnë në Turqi por ama e dimë saktë se ‘shkuarja’ e tyre në Turqi ishte rezultat i politikave që luftonin për ndryshim kufijsh dhe demografisë në Ballkan.
Tema e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve është kthyer në tavolinë si çështje kryesore dhe tani me iniciativë të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Me pak fjalë Presidenti Thaçi si duket këtë temë e ka diskutuar me homologun e tij serb në Bruksel gjatë takimeve të tyre të gjata e të shpeshta dhe tani ka ardhur koha t’ia paraqes ketë temë shumë të preferuar serbe edhe publikut shqiptarë në Kosovë, Luginë e më gjerë. Ne akoma nuk i dimë hollësitë e kësaj bisede apo ujdie mes dy presidentëve dhe sigurisht shumë njerëz kanë shumë pyetje se si do të ndodh ky “korrigjim kufijsh”. A do t’i bashkëngjiten Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si tërësi Kosovës? Cilat komuna nga veriu i Kosovës do t’i bashkëngjiten Serbisë? Kush do të jetë garantues i kësaj ujdie? Kush do të monitorojë situatën gjatë realizimit të kësaj ujdie? Kush do të garantojë paqen gjatë periudhës tranzitore? etj.
Qytetarët në Luginë me siguri kanë shumë pyetje e paqartësi tjera rreth kësaj teme super senzitive.
Të gjithë ne që jetojmë në Luginë i mbajmë mend kërkesat e kamotshme “lokale” serbe për krijimin e dy komunave në Bujanoc – pra komunës së Bujanocit dhe komunës shqiptare të Tërrnocit. Këto kërkesa serbe nuk kanë qenë të rastësishme. Ato janë bërë pikërisht për këso lloj skenarësh. Qëllimi serb në Luginë është i qartë dhe nuk duhesh të jesh një gjeni që ta kuptosh. Ata duan të ruajnë korridorin 10 me çdo kusht, duke përshirë linjën hekurudhore dhe autostradën, si dhe vendbanimet serbe, ku nga të gjithë qyteti i Bujanocit është më i rëndësishmi si për shkak të infrastrukturës dhe potencialeve ekonomike, duke përfshirë dhe fabrikat e ndryshme.
Serbët kanë qenë të gatshëm Kosovës t’ia japin fshatrat shqiptare të Bujanocit dhe shumicën e vendbanimeve të komunës së Preshevës në vitin 2003, 2011 dhe prapë janë të gatshëm, por me kusht që të ruajnë resurset kryesore (linjat rrugore). Bashkëngjitja eventuale e fshatrave Miratoc, Tërrnavë, Norçë, qytetit Preshevë, fshatrave Rahovicë, Shoshajë, Corroticë, Raincë, Letovicë, Nasalcë, Osllare, Lluçan, Konçul, Turi, Tërrnoc dhe fshatrave të shumta malore gati pa asnjë banorë Kosovës, nuk do të jetë një fitore shqiptare por do të ishte një triumf strategjik serb në Luginë. Serbia përpos që do të ruante linjat rrugore dhe hekurudhore në Luginë, ajo do të arrinte të shndërronte qytetin e Bujanocit në një qytet me pakicë shqiptare. Meqë pas një ndarje të tillë të Luginës do të ndodhte ‘ristrukturimi’ i komunë së Bujanocit ku shqiptarët do të mbeteshin pakicë. Serbët do të arrinin të zhbënin ‘gabimin’ e vitit 2002, kur pas një trysnie të madhe të bashkësisë ndërkombëtare,u detyruan të ndryshojnë sistemin zgjedhor dhe të lejojnë shumicën shqiptare të qeveris në këtë komunë.
Në qarqet nacionaliste serbe sot e kësaj dite flitet për një ‘kthim’ të Bujanocit në pronësinë serbe. Nën këtë skenar komuna e ‘re’ e Bujanocit do të kishte maksimumi rreth 10.000 votues shqiptarë, duke ia bashkangjitur edhe fshatrat e mbetura shqiptare të Preshevës komunës së Bujanocit si (Çukarka, Zhunica, Bukuroci, Stacioni Hekurudhor, Strezoci, Gerajt, Lerani, Golemidolli, Bushtrani), ndërsa votues serbë do të ishin prej 15.000 deri 20.000 persona, duke ia bashkangjitur komunës së re të Bujanocit dhe fshatrat serbe të Preshevës, si (Cakanoci, Stacioni Hekurudhor, Sllavujevci, Strezoci serb, Svinjishta).
Çdo shkëmbim territoresh që nuk përfshin në tërësi territoret e komunave Preshevë dhe Bujanoc (duket përfshirë autostradën, hekurudhën dhe caktimin e kufirit Kosovë-Serbi në Ristoc, aty ku ishin në vitin 1912), si dhe territoret dhe fshatrat shqiptare të komunës së Medvegjës, duke përfshirë edhe Banjën e Sijarinës, në territorin e Kosovës, është një DËSHTIM strategjik i shqiptarëve. Lugina e Preshevës nuk ka resurse mbitokësore e as nëntokësore. Resursi i vetëm është korridori 10 dhe humbja përfundimtare e tij është humbje lufte në tavolinë. Kjo humbje do të ishte edhe më e thellë kur kihet parasysh se çfarë do të duhej të japë Kosova në veri të territorit të saj. Një territor shumë më të madh se Lugina me pasuri nëntokësore dhe ujore. Si dhe do ta legjitimonte përfundimisht spastrimin etnik në Mitrovicë nga e cila u përzunë mbi 10.000 shqiptarë gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.
Qytetarët e Bujanocit dhe shumë qytetarë tjerë të Luginës do ta konsideronin refuzimin e Presidentit Thaçit ndaj çdo oferte gjysmake serbe akt patriotik, e aspak akt mos kujdesje ndaj shqiptarëve në Luginë. Ndarja e brendshme e Luginës dhe bashkëngjitja e vetëm një pjesë të saj Kosovës është një humbje strategjike, ekonomike dhe kombëtare shqiptare në Luginë, Kosovë dhe më gjerë. Tani është koha të jemi të mençur, të zgjuar dhe të kujdesshëm, e jo patriotë zhurmaxhi. Presidenti Thaçi ka nevojë të zgjerojë spektrin e bashkëbiseduesve nga Lugina për të kuptuar më hollësisht problematikën. E jo të sjell vendime vetëm në bazë të informacionit që merr nga disa politikanë në Preshevë që ndoshta e shohin vetën si subjekte të këngëve me çifteli për gjoja heroizmat e tyre në Luginë./Titulli.com/
Kjo analizë është bërë nga redaksia e Portalit Informativ- Titulli.com në Bujanoc, medium që përmes projekteve të ndryshme vazhdon të kontribuojë në avancimin e pozitës së përgjithshme të shqiptarëve në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.