Analizë nga Almakos
Dalja e përbashkët në konferencë për shtyp mes Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe Izet Mexhiti nuk ishte një episod i zakonshëm diplomatik. Në një rajon ku çdo gjest lexohet me vëmendje maksimale politike, ky takim duket më shumë si një sinjal i qëllimshëm: Tirana po i jep peshë dhe legjitimitet një figure që po konsolidohet si alternativë serioze në skenën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Edhe pse zyrtarisht Shqipëria mban një qasje të balancuar ndaj faktorëve politikë shqiptarë në RMV, në praktikë ka momente kur kjo balancë anon dhe ky është një prej tyre. Fakti që Mexhiti u përzgjodh për një konferencë të përbashkët, në vend të figurave të tjera më të konsoliduara në politikën shqiptare, nuk është rastësi. Është një zgjedhje që reflekton vlerësim politik.
Mexhiti përfaqëson një brez dhe një qasje ndryshe: më afër qytetarit e me një profil që po rritet vazhdimisht. Si një nga figurat kryesore të VLEN, ai ka ndërtuar një bazë konkrete ndikimi, duke e kthyer veten nga një aktor lokal në një figurë me ambicie më të gjera. Tirana duket se e ka lexuar këtë dinamikë dhe po investon simbolikisht në të?
Pse pikërisht ai? Sepse në një skenë të fragmentuar politike, ku besimi i qytetarëve shpesh është i lëkundur, Mexhiti paraqitet si një opsion që mund të mobilizojë elektoratin dhe të krijojë ekuilibra të rinj.
Ky takim mund të lexohet edhe si një mesazh për aktorët e tjerë politikë shqiptarë në RMV: koha e dominimit të pakontestuar ka kaluar, dhe Tirana është e gatshme të hapë dyert për figura të reja që sjellin energji ndryshe.
Sigurisht, diplomacia nuk shpall “liderë” me deklarata të drejtpërdrejta. Por në politikë, ka gjeste që flasin më fort se fjalët. Dhe ky ishte një prej tyre. Nëse deri dje Mexhiti shihej si një alternativë në ngritje, sot ai po trajtohet si një faktor që nuk mund të anashkalohet: as në Shkup, as në Tiranë, e as në Prishtinë.


