Ministria e Jashtme e Kosovës, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq kurrë nuk do t’ia lejojë hyrjen në Kosovë për shkak të deklaratave të saj raciste dhe ofenduese ndaj 2 milionë qytetarëve të Kosovës.
Brnabiq ka bërë një deklaratë raciste në prani të ambasadorit të BE-së, Sem Fabrizi, duke thënë ‘njerëz që kanë dalë nga mali’ dhe se “ka edhe terroristë, por që nuk janë dënuar”, duke iu referohej krerëve të shtetit në Kosovë të cilët, sipas saj, bëjnë garë se kush është shovinisti dhe nacionalisti më i çmendur.
“Ajo që mua më së shumti më frikëson, është fakti se kemi punë me llojin më të keq të populistëve, me njerëz të cilët vërtet kanë dalë nga mali. Disa prej tyre janë terroristë që nuk janë dënuar. Kanë qenë të akuzuar në Tribunalin e Hagës. Nuk janë dënuar vetëm për faktin se gjatë atij procesi janë vrarë të gjithë dëshmitarët”, është shprehur ajo.



