Për banorët e Komunës së Tearcës është bërë si shprehi që për çdo projekt që e bën komuna që të vijnë dhe të vetparticipojnë ngase është bërë si një rregull i pashkruar. Kështu tha Amir Elezi nga Lëvizja BESA në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Duke folur për projektet që do të realizojnë nëse vijën në pushtet, Elezi tha se ata i kanë ndarë në projekte afat mesme, afat shkurte dhe afatgjate.
“Puna imediate që duhet të bëhet është pastrimi i deponisë së vjetër mes fshatit Derbosh dhe Glloq. Është krijimi i zonave të gjelbërta dhe parqeve rekreative në të gjitha vendbanimet. Këto janë projekte që mund të kryhen në afat shumë të shkurt dhe janë një premtim që ne e bëjmë. Është ndriçimi publik”, tha Elezi, duke shtuar se në plan afat mesëm do të bëjnë zgjerimin e Ndërmarrjes Publike Higjiena, do të ndërtojnë disa rrugë, do të fillohet faza e parë e ndërtimit të një çerdhe dhe rregullimin e rrjetit sekondar të ujit të pijshëm në vendbanimet për të cilat kanë nevojë.
Amir Elezi tha se për projektet afatshkurte nuk është problem sigurimi i mjeteve por pse nuk janë realizuar deri tani ka qenë mungesa e vullnetit.
Për ndërtimin e rrugës Odër- Nerasht, Amir Elezi tha se mund të mbulohet me para të buxhetit edhe pse nuk ka ndonjë shifër se sa mund të kushtoj saktë.
“Me ardhjen tonë në komunë as që nuk do të bisedohet që banorët do të participojnë në projekte të tilla, por këto projekte do të duhet ti realizon vetë komuna”, tha Elezi.
Amir Elezi tha se projekti për kanalizimin është i vjetër dhe tani do të duhet të bëhet një projekt i ri për kanalizimin.

