Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, ka akuzuar LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, se po krijojnë pa argumente frikë dhe panik në opinion lidhur me mundësinë e ndërtimit të qendrave të të dhënave në Maqedoninë e Veriut.
Nga VMRO-DPMNE thonë se çdo herë që paralajmërohet një projekt i ri, i cili, sipas tyre, mund të kontribuojë në modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit, opozita reagon me mesazhe negative dhe paralajmërime që, sipas partisë, nuk mbështeten në fakte dhe analiza të mjaftueshme profesionale.
“Filipçe sërish doli publikisht me qëndrime kategorike për ndërtimin eventual të qendrave të të dhënave në Maqedoni, sikur mendimi i tij vetvetiu të ishte argument i mjaftueshëm”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia në pushtet i është referuar edhe rastit të Pehçevës, duke vlerësuar se iniciativa kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave në atë zonë nuk ka pasur sukses dhe se pas kësaj, sipas tyre, ka vijuar një tjetër përpjekje për të nxitur frikë në opinion.
VMRO-DPMNE thekson se Maqedonisë së Veriut i nevojiten investime të reja, infrastrukturë moderne dhe politika që do ta bëjnë vendin më konkurrues në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, nga partia theksojnë se zhvillimi duhet të shoqërohet me respektimin e ligjeve, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zbatimin e standardeve të larta për sigurinë e qytetarëve.
Sipas partisë në pushtet, në vend të një debati të argumentuar mbi përfitimet dhe rreziqet që mund të sjellin investimet në qendrat e të dhënave, LSDM-ja, siç pretendojnë ata, çdo mundësi për zhvillim ekonomik e shndërron në çështje politike dhe në burim frike për qytetarët.
“Maqedonisë i duhet zhvillim dhe vizion, e jo histeri politike sa herë që diçka mund ta bëjë më moderne dhe më të fortë”, thuhet në përfundim të reagimit të VMRO-DPMNE-së.
The post VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në për përhapje të frikës lidhur me qendrat e të dhënave appeared first on TV-SHENJA.


