Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka vijuar aktivitetet për shpërndarjen e abetareve për fëmijët shqiptarë, këtë herë në Jabollçishten e Poshtme dhe Jabollçishten e Epërme.
Së bashku me drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Besnik Emini, dhe kryetarin e Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, ambasadori Meidani shpërndau abetare për nxënësit e klasave të para të shkollës fillore “Liria”.
Në një postim në rrjetet sociale, Meidani theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe, duke vënë në pah se mbështetja për arsimin në gjuhën amtare duhet të jetë konkrete dhe të përfshijë të gjithë fëmijët shqiptarë, pavarësisht vendbanimit.
“Besoj fort se mbrojtja e gjuhës shqipe nuk bëhet vetëm me fjalë e deklarata. Bëhet duke u krijuar fëmijëve mundësinë ta mësojnë, ta duan dhe të krenohen me të, kudo që jetojnë”, shkroi ambasadori Meidani.
Ky aktivitet vjen pas shpërndarjes së abetareve në fshatin Nerovë të Krushevës, në kuadër të angazhimit për mbështetjen e mësimit dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në mesin e brezave të rinj.



