Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, shënoi sot me një mesazh të posaçëm 29-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe dhjetëvjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, kryer më 4 shtator 2016.
Lindi me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, më 26 gusht 1910, në Shkup, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, sot kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, në një familje katolike shqiptare. U pagëzua të nesërmen, ditë që e mbajti gjithë jetën si ditëlindjen e saj shpirtërore. Vizita e saj në gusht 1989, ende nën regjimin komunist, hapi rrugën për ngritjen e shtëpisë së parë të Misionareve të Bamirësisë në Tiranë, më 4 mars 1991, dhe më pas në Shkodër.
Për shqiptarët e Shkupit, kjo mbetet histori e gjallë: Shtëpia Përkujtimore, ngritur në vendin ku u pagëzua, ruan gjurmën e një identiteti që ajo nuk e la kurrë pas, ndërsa misioni i saj u shtri drejt gjithë njerëzimit.
Në mesazhin e postuar në rrjetet sociale, ambasadori Meidani shkruan:
Rrallëherë një jetë e vetme arrin ta lidhë kaq përjetësisht krenarinë e një kombi me ndërgjegjen e mbarë njerëzimit.
E lindur në Shkup Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza mori me vete identitetin, besimin dhe forcën e prejardhjes së saj shqiptare, dhe misionin e saj e shtriu në mbarë botën.
Shembulli i saj na kujton se shenjtëria nuk qëndron në largësi nga bota, por në afërsinë me njeriun. Në aftësinë për të parë dhimbjen, për ta ndjerë atë dhe për të mos u dorëzuar e larguar.
Ajo mbetet një krenari e rrallë: dëshmia se edhe nga një vend i vogël mund të lindë një dritë që ndriçon botën.
Gonxhe për ne.
Nënë Tereza për botën.
Shenjtore për njerëzimin.
Data është simbolike: 5 shtatori është festë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, e shënuar në kalendar si Dita e Shenjtërimit të Shën Terezës Shqiptare dhe, në nivel ndërkombëtar, kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Në Maqedoninë e Veriut, vendlindjen e saj, kujtimin e ruan gjallë Shtëpia Përkujtimore në qendër të Shkupit. Mesazhi i ambasadorit Meidani vjen pikërisht nga ky qytet, ndër pikat më të vizituara të kujtesës sonë kombëtare në Maqedoninë e Veriut.
Shembulli i saj sjell një mësim që tejkalon kalendarin fetar. Shenjtëria e saj u ndërtua në afërsi me njeriun, në aftësinë për ta parë dhimbjen e tjetrit, për ta ndjerë atë dhe për të mos u larguar prej saj siç shkruan ambasadori Meidani.
Prandaj sot, në dhjetëvjetorin e shenjtërimit, kujtimi i saj mban bashkë tri identitete në një jetë të vetme. Për shqiptarët, ajo mbetet Gonxhja e Shkupit. Për botën katolike, Nënë Tereza e Kalkutës. Për njerëzimin, Shenjtja e të varfërve.



