Ambasada e Francës në Tiranë ka dënuar me forcë sulmet e dhunshme ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, tashmë e kthyer në një qendër kulturore dhe atraktive për turistë të huaj, për shkëmbime kulturore.
Gjatë protestës së mbrëmshme të opozitës pati goditje me molotovë ndaj godinës dhe dëme materiale, teksa aty, sipas qëndrimit zyrtar të autoriteteve, kishte të paktën 12 artistë të huaj që u rrezikuan.
Ambasada vë në dukje se “organizatorët nuk duhet ta injoronin këtë fakt” dhe duhet ta shmangnin sulmin, pasi ajo godinë menaxhohet nga një qendër franceze “Fondacioni Art Explora”.
Selia diplomatike shprehet me një reagim në rrjetin social se e dënon me forcë sulmoin dhe se “e drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune’.
“Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme”, thuhet mes të tjerash.
Në fund u bëhet thirrje organizatorëve që të tregonin përgjegjësi për këtë ngjarje.
Reagimi i Ambasadës së Francës:
“Ne dënojmë me forcë aktet e dhunës që mbrëmë arritën një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj Vila 31 – Fondacioni Art Explora. Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez. Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme. E drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune. U bëjmë thirrje organizatorëve të tregojnë përgjegjësi”.


