Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të premten pritet të vizitojë qytetin e Strugës, në kuadër të një aktiviteti partiak që synon mobilizimin e strukturave lokale dhe forcimin e prezencës politike të BDI-së në këtë komunë.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga partia, Ahmeti do të marrë pjesë në një tubim me anëtarët dhe simpatizantët e BDI-së në Strugë, ku pritet të përcjellë mesazhe të rëndësishme politike lidhur me angazhimin e partisë për barazi, zhvillim dhe bashkëjetesë ndëretnike.
Vizita vjen në një kohë kur partitë politike në vend po përgatiten për ciklet e ardhshme zgjedhore dhe po riformulojnë strategjitë e tyre në terren.
“Nesër, në zemër të qytetit tonë, do të kemi nderin dhe privilegjin të mirëpresim liderin historik dhe vizionarin e çështjes shqiptare, z. Ali Ahmeti.
Ju ftojmë të gjithë të jeni pjesë e këtij takimi të rëndësishëm, ku do të forcojmë unitetin, do të ndajmë mesazhe për të ardhmen dhe do të dëshmojmë edhe një herë se Struga është dhe mbetet bastion i fuqishëm i vlerave tona kombëtare.”, thuhet në njoftim. (INA)