Njëjtë sikur sot LSDM-në dhe Zaevin, Ahmeti për 9 vjet radhazi mbronte dhe arsyetonte VMRO-DPMNE-në dhe Nikolla Gruevski. Përveç se gjatë bashkëqeverisjes 9-vjeçare, Ahmeti dhe BDI kanë mbrojtur Nikolla Gruevskin edhe në momentet vendimtare dhe më të vështira për karrierën e tij politike. Që nga shpërthimi i krizës politike dhe aferës së përgjimeve, Ahmeti nuk u ndje aspak i tradhëtuar, por përkundrazi e arsyetonte Gruevskin dhe Qeverinë duke thënë se gjëra të tilla ndodhin edhe në vendet e tjera të botës.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“BDI nuk do ngre padi ndaj asnjë institucioni. Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në shumë vende të tjera më të përparuara se Maqedonia. BDI nuk ka asnjë shqetësim mbi ndonjë zhvillim të brendshëm”
Gjatë bisedimeve në Përzhino, shpesh herë vetë lideri I LSDM-së pati akuzuar se Ahmeti mban anën e Nikolla Gruevskit. Kreu i BDI-së në arsyetimin e tij tha se nuk ka dashur që në këto bisedime të poshtërohet Nikolla Gruevski.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Nuk është e vërtetë se unë kam mbajtur anë, as në Bruksel, as në Shkup. Unë nuk kam dashur dhe këtë ua kam thënë shumë hapur edhe Gruevski dhe Zaev, nuk dua as që të poshtërohet kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Gruevski”
Besnikëria e Ahmetit ndaj Gruevskit madje duke dal edhe kundër të gjithëve u shpreh edhe gjatë bisedimeve për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Opozita e asaj kohe vlerësonte se nuk ka pasur kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill dhe të njëjtat u shtynë më 5 qershor. Kjo shtyerje u bë pas zotimeve që Ahmeti i kishte bërë Gruevskit.
NIKOLLA GRUEVSKI, KRYETAR I VMRO-SË
“Morëm edhe një premtim nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti se qëndrojnë fuqishëm pas vendimit për zgjedhje më 5 qershor, me ose pa LSDM-në. Shteti nuk mund të jetë peng i një partie politike, në këtë rast LSDM-së”
Këto fjalë të Gruevskit më pas i konfirmoi Ahmeti. Kur të gjithë thonin se nuk ka kushte më 5 qershor, Ahmeti e mbajti fjalën dhe i doli Gruevskit.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Më 5 qershor do të ketë zgjedhje sepse nuk ka alternativë tjetër. Në qoftëse ka ndonjë mëndje të ndritur si koka e Zeusit le ta paraqes atë alternativë”
Por, pas vlerësimit të faktorit ndërkombëtar se edhe më 5 qershor nuk ka kushte, zgjedhjet u shtynë për më 11 dhjetor. Fillimisht u bind VMRO-DPMNE e më pas edhe BDI.
Miqësia e ngushtë mes BDI-së dhe VMRO-së zgjati deri në çastet e fundit të afatit të mandatit të Nikolla Gruevskit. Për 20 ditë të plota BDI negocioi me VMRO-DPMNE-në dhe disa orë para mbylljes së afatit BDI jozyrtarisht liferoi se ka arritur marëveshje me partinë e Gruevskit. Por, më pas edhe vetë krerët e kësaj partie e pranuan se kishin qenë faktor të tjerë më të fuqishëm ata që kishin prishur lidhjen shumëvjeçare mes BDI-së dhe VMRO-së. Arben Zeqiri /SHENJA/

