30 November
Gjykata Penale – Shkup sot duhet ta sjellë aktvendimin për të akuzuarin e pestë në lëndën e PSP-së “Dhunë në Qendër”, Jordan Ristevski, i cili dje në seancë me vetiniciativë e pranoi fajin.
Gjykimi për 13 të akuzuarit e tjerë në lëndën “Dhunë në Qendër”, është caktuar për më 7 dhjetor.
I akuzuari Ristevski e pranoi fajin dhe para gjykatësit dhe prokurorëve të PPS-së vendosi të përfaqësohet vetë, pa ndihmën e avokatit. Mbrojtësi i tij i deritanishëm Boro Ristevski, e anuloi autorizimin për përfaqësim, sepse, siç tha, edhe vetë është befasuar nga pranimi i fajit të klientit të tij.
“Pas seancës së fundit gjyqësore i shqyrtova veprat për të cilat akuzohem, dua të them se e pranoj fajin e bërë dhe ndjej keqardhje të thellë”, tha Ristevski në sallën gjyqësore.
Paraprakisht prokurorja Fatime Fetai kërkoi që procedura për të të ndahet dhe gjykimi për të të vazhdojë menjëherë.
Fajin për ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013, paraprakisht e pranoi edhe i akuzuari i katërt Tomisllav Lazarov, i cili në procedurë të rregullt mori dënim me kusht prej gjashtë muajve, nëse në afat prej dy viteve nuk bën ndonjë vepër tjetër penale.
Prokurorja Fetai dje tha se pret vendimin të cilin do ta shpall gjykata të jetë i njëjtë si në rastin me Tomisllav Lazarovin.
Në lidhje me të akuzuarit e tjerë, theksoi se debati i përgjithshëm do të vazhdojë më 7 dhjetor, sepse njëri prej avokatëve të tre të akuzuarve në këtë lëndë ka munguar me arsye, ndërsa që t’i mundësohet secilit të akuzuar e drejta e tij bazë për të pasur mbrojtës në procedurë, pranuan që të shtyhet debati i përgjithshëm.
Në seancën e djeshme gjyqësore mori pjesë edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili akuzohet në lëndën, ndërsa në dalje nga salla gjyqësore deklaroi se nuk ndjehet fajtor për akuzën dhe se nuk ka frikë nga asnjë sanksion.

