Pak ditë pasi Shqipëria mori çmimin e renditjes në top-listë për sigurinë kibernetike, ditët e nxehta të gushtit kanë nxjerrë në pah se kompania Albanian Digital Solution, e cila synon të jetë “Shqipëria e Zgjidhjeve Digjitale”, po përballet me një situatë që rrezikon të çojë drejt kolapsit sistemet dhe shërbimet e saj.
Nën drejtimin e Igli Tafës, pas largimit të problemeve me drejtësinë dhe grupit kriminal në AKSHI të zonjës Kërcanaj, ADS do t’u shërbente qytetarëve më mirë, më shpejt dhe më lirë.
Por sistemet e ngritura po bien një e nga një, fiks si rrethet e kalasë apo ushtarët e një ushtrie pa drejtim.
AKSHI është jashtë funksionit dhe shteti krijoi ADS-në, e cila është sërish në pronësinë e AKSHI-t. Por, teksa fiskalizimi ka vite që lëngon, pasi që nga krijimi mungon mirëmbajtja, në të njëjtin drejtim po shkon edhe Qendra Kombëtare e Biznesit, shërbimet elektronike në fushën e mjekësisë, shërbimet e të dhënave sensitive e jo vetëm.
Në këtë rast, ADS, e drejtuar nga Igli Tafa, jo vetëm që s’po ia del dot të mbajë në këmbë sistemet e ngritura në e-Albania, por shpenzimet vijojnë të jenë po aq të kripura. Qytetarët paguajnë dhe, në vend që të presin në sportel, presin pas kompjuterit, laptopit apo celularit, me orë e deri në ditë./Kapitali



