17 October
Ka dhjetë muaj që softueri i sistemit “AKMIS” për shpërndarjen e lëndëve nëpër gjykata, nuk është mirëmbajtur nga asnjë IT kompani. Kjo pasi që projekti i USAID për mbikëqyrjen e sistemit “AKMIS”, ka përfunduar në fillim të vitit. 10 muaj më vonë, gjykata ka hapur tender në të cilin kanë konkurruar dy firma. Njëra nga firmat është tërhequr, ndërsa për marrjen e tenderit ka mbetur e njëjta kompani, Edusoft, e cila edhe deri më tani ka mbikëqyrur për nëntë vite me radhë sistemin “AKMIS”. Për Alsat-M, nga kompania Edusoft thonë se manipulimi i sistemit “AKMIS” është i pamundur, mirëpo sipas tyre, ekziston mundësia e rishpërndarjes së lëndëve me urdhër të Kryetarit të Gjykatës. Për të gjitha lëndët e rishpërndara për çfarëdolloj arsye ekzistojnë gjurmë, por ato mund të bëhen publike vetëm me urdhër të gjykatës, thonë nga kompania Edusoft.
Sistemi AKMIS nuk mund të manipulohet, por se sa keqpërdoret nga gjykata, ajo nuk është puna jonë! Çdo lëndë duhet të kalojë përmes sistemit AKMIS. Shpërndarja e lëndëve bëhet sipas kritereve të numrit të lëndëve, rëndësisë apo rendit. Por ekziston mundësia që lëndët të rindahen me vendim të Kryetarit të Gjykatës. Nuk kemi të drejtë t’ua themi se për sa lëndë është kërkuar rindarje, mirëpo çdo gjë lë gjurmë. Këtë mund ta kërkojë vetëm gjykata. Ne presim që deri në fund të vitit të fitojmë sërish tenderin për mbikëqyrjen e sistemit AKMIS. Kemi shumë punë për të bërë pasi kemi bërë 10 muaj pauzë – njoftojnë nga EDUSOFT.
Nga burime të ALSAT mësojmë se gjithsesi, ndarja në dorë e lëndëve nuk daton vetëm në 10 muajt e fundit që kompania Edusoft nuk e ushtron më aktivitetin e mirëmbajtjes së saj. Burimet tona thonë se sistemi AKMIS nuk ka funksionuar me vite, është keqpërdorur, ndërkohë që shpërndarja e lëndëve ka qenë akoma më drastike gjatë vitit të kaluar, kur Prokuroria Speciale u bë më aktive në ngritjen e lëndëve të saj. Emrat më të përfolur të gjykatësve që kanë keqpërdorur këtë sistem janë Tatjana Mihajllova dhe Vlladimir Pancevski, tek i cili pati edhe një operacion bastisjeje në shtëpi, pak ditë më pare nga Prokuroria Speciale, me një urdhër i dale nga gjykata e Gjevgjelisë. Institucioni i Katica Janevës dyshon se Pancevski ka ndarë lëndë në dorë, i ka kurdisur rastet e iniciuara nga Specialja, madje, sipas burimeve tona, Pancevski ka pasur qasje në sistem edhe nga shtëpia. Atij i janë marrë dy celularë, si dhe të dhëna nga kompjuteri. Pançevski përgënjeshtron gjithsesi, çdo dyshim për keqpërdorim të AKMIS.
Besian Leka

