U hartua në kohën kur Tetova u gjendej në listën e qyteteve më të ndotur në botë, kaluan thuajse 4 vite, “Strategjia e Komunës së Tetovës kundër ajrit të ndotur” që përmban gjithsej 22 pika, asnjëherë nuk u realizua plotësisht. Tetova vazhdon të ketë ajër të ndotur. Nga organizata joqeveritare “Nëna dhe Fëmija” nuk i përjashtojnë protestat, ndërsa Komuna arsyetohet, shkruan Portalb.mk.
Ajri i ndotur është problem me të cilën përballen disa qytete të Maqedonisë së Veriut. Niveli i lartë i ndotjes është rrezik për shëndetin dhe jetën e njeriut. Në Komunën e Tetovës, banorët e këtij qyteti vetëm javët e fundit kanë thithur ajër prej katër deri tetë here më të ndotur nga masa e lejuar.
Jo më shumë se para 3 viteve, banorët e Tetovës mbijetuan një vit me ajër shumë të ndotur. Matjet për cilësinë e ajrit shënuan 298 ditë në të cilat theksohej prania e substancave helmuese mbi të lejuarën 50 mg/m3 grimca PM10.
Në vitin 2016, pas protestave të shoqërisë civile nga Komuna e Tetovës hartuan një dokument për luftën kundër ajrit të ndotur, dokument ky që asnjëherë nuk u bë publik.



