Ali Ahmeti gjatë konferencës për shtyp tha se partneriteti mes dy partive bazohet në themele të forta dhe se do të ndikojë në realizimin e shumë proceseve të rëndësishme.
“Jam i bindur se ky partneritet që po ndërtohet edhe një mandat katër vjeçar do të jetë edhe më shumë i suksesshme. I uroj suksese qeverisë së ardhshme. I uroj suksese këtij koalicioni. Punë të mbarë. Të gjithë ato që i tha Zaev ne i kemi dakorduar”, tha Ahmeti.
I pyetur se lidhur me premtimin për kryeministër shqiptar, Ahmeti fillimisht ia la rendin të përgjigjet Zoran Zaevit.
“Në vet marrëveshjen BDI tregoi madhështi për shkak të ardhmes të qytetarëve, shtetit, për shkak politikave të suksesshme edhe për shkak shteti. Është konfirmuar që unë të kem nderin të jem kryeministër në mandat të plot. Dua të them se pjesë e marrëveshjes është shfuqizimi i marrëveshjes së Përzhinos”, tha Zaev.
Zaev tha se në 100 ditët e fundit me propozim të BDI-së, do të jetë kryeministër i propozuar nga radhët e BDI-së. Ai tha se këtë ide do ta elaboroj para kryesisë së partisë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se ideja e kryeministrit ka qenë afrim të komuniteteve dhe marrjes së përgjegjësisë për shtetin nga ana e shqiptarëve.
“Mendoj që të gjithë ku keni përcjellë të tërë fushatën po edhe idenë. Sigurisht që ideja është që të afrohen njerëzit dhe jo të largohen. E tha edhe Zaev, në Maqedoni ka patur ministër mbrojtës shqiptar, kryetar parlamenti, dhe do të ketë dhe kjo vetëm se e ka përforcuar bashkësitë tona. Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që i afron komunitetet. Duhet përshëndetur edhe guximi i Zaevit për të pranuar që 100 ditë në krye të qeverisë do të jetë një shqiptar”, deklaroi Ahmeti. /SHENJA/




