Rreth 300 protestues janë përplasur me policinë e Nju Jorkut mbrëmjen e së enjtes, më 8 tetor, jashtë një spitali në Bronks, ku po trajtohej një burrë i plagosur me armë zjarri nga një agjent federal i imigracionit (ICE).
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni për arrestimin e tij, ndërsa burri ndodhej në makinën e tij me një fëmijë pesëvjeçar, i cili fatmirësisht nuk u lëndua.
Incidenti ndodhi rreth orës 16:00, sipas orës lokale, në lagjen Marble Hill, ku agjentët e ICE-së po tentonin të arrestonin një shtetas të Republikës Dominikane. Gjatë operacionit, njëri prej agjentëve përdori armën e shërbimit, duke e plagosur burrin në qafë. Ai u dërgua në spital, ku mori trajtimin e nevojshëm.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS), burri që ishte objektiv i operacionit qëndronte ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe kishte një të kaluar kriminale. Autoritetet federale pretendojnë gjithashtu se ai kishte lidhje me bandën Trinitarios.
Megjithatë, rrethanat e të shtënave kanë shkaktuar reagime të forta, veçanërisht për shkak të pranisë së fëmijës në automjet.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoran Mamdani, e cilësoi ngjarjen të papranueshme dhe tha se kishte kontaktuar Presidentin amerikan Donald Trump për t’i kërkuar ndalimin e operacioneve të ICE-së në qytet.
“Agjentët e rrethuan atë ndërsa ishte brenda makinës së tij me një fëmijë pesëvjeçar, përpara se të qëllonin disa herë”, deklaroi Mamdani, duke shtuar se, sipas informacionit fillestar, fëmija nuk ishte plagosur.
Pas ngjarjes, rreth 300 persona u mblodhën jashtë spitalit NewYork-Presbyterian Allen, ku po trajtohej burri i plagosur, për të protestuar kundër përdorimit të armës së zjarrit nga agjenti federal.
Tubimi u përshkallëzua në përplasje me oficerët e policisë së Nju Jorkut, të cilët ndodheshin në zonë. Protestuesit kërkuan ndërprerjen e operacioneve të agjencisë federale të imigracionit në qytet, duke brohoritur: “Duam që ICE të largohet nga rrugët tona. Pa drejtësi, nuk ka paqe”.
Gjatë protestës u dëgjuan edhe slogane kundër politikave të imigracionit të administratës Trump. Deri në momentin e raportimit, nuk ishin dhënë detaje të plota për arrestime të mundshme apo për shkallën e përplasjeve.
Kryebashkiaku Mamdani dënoi përdorimin e armës së zjarrit dhe njoftoi se kishte kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën.
“Kur të flasim, do t’i kërkoj atij t’i japë fund të gjitha operacioneve të zbatimit të ligjit për imigracionin të kryera nga ICE në qytetin tonë”, deklaroi ai.
Mamdani theksoi se nuk do të qëndronte pasiv përballë veprimeve të agjentëve federalë, të cilat, sipas tij, po shkaktojnë frikë në komunitetet lokale.
Nga ana tjetër, Departamenti i Sigurisë Kombëtare pretendoi se burri i plagosur kishte precedentë kriminalë dhe lidhje me bandën Trinitarios. Sipas DHS-së, kjo organizatë kriminale lidhet edhe me një incident të vitit të kaluar, kur anëtarë të saj qëlluan dhe plagosën një agjent të Mbrojtjes së Doganave dhe Kufijve.
Departamenti bëri të ditur gjithashtu se burri ishte arrestuar nga policia e Nju Jorkut më 7 dhjetor 2023, por ishte liruar disa ditë më vonë. Akuzat për lidhjet e tij me bandën nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, kërkoi transparencë të plotë për rrethanat e incidentit, ndërsa organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve dënuan përdorimin e forcës së armatosur.
Koalicioni i Imigracionit të Nju Jorkut kërkoi një hetim të menjëhershëm, publikimin e pamjeve nga kamerat e trupit të agjentëve dhe llogaridhënie nëse rezulton se është përdorur forcë joproporcionale.
Edhe FBI-ja është përfshirë në hetim, duke dërguar një ekip për mbledhjen dhe shqyrtimin e provave. Ndërkohë, policia e Nju Jorkut sqaroi se oficerët e saj nuk ishin përfshirë në operacionin e ICE-së gjatë të cilit burri u plagos.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes autoriteteve lokale dhe qeverisë federale për politikat e imigracionit. Sipas një dokumenti të qytetit, nga 20 janari 2025 deri më 10 mars 2026, agjentët e ICE-së kryen 5,567 arrestime në zonën e Nju Jorkut.
Operacionet e shtuara të agjencisë kanë nxitur protesta të përsëritura nga grupet e emigrantëve dhe zyrtarët lokalë, të cilët kundërshtojnë metodat e përdorura gjatë arrestimeve.



