Metin Ferrati është vetëm 25 vjeç, por pasioni për teknologjinë e ka shoqëruar që në fëmijëri. Nga Shkupi drejt San Franciscos, ai po ndërton një rrugëtim ku teknologjia, besimi dhe sipërmarrja takohen në të njëjtën histori. Metin ka krijuar një aplikacion që sjell Kuranin në shqip, duke i ofruar përdoruesit mundësinë të lexojë tekstin origjinal arab dhe përkthimin shqip.
Risia qëndron te funksioni i përkthimit fjalë për fjalë, për ata që duan të kuptojnë më në detaje strukturën dhe kuptimin e tekstit. Ideja lindi edhe nga një nevojë personale e tij dhe familjes së tij për të kuptuar jo vetëm fjalitë, por çdo fjalë të tekstit të shenjtë.
Aplikacioni është falas, pa reklama dhe mund të përdoret edhe pa internet. Një tjetër funksion praktik është “Mushaf”, që ruan automatikisht faqen e fundit të lexuar. Versioni për iOS ka regjistruar mijëra shkarkime, ndërsa versioni për Android është në fazë testimi. Por historia e Metinit nuk ndalet te aplikacioni fetar.
Ai është gjithashtu themelues i N’Katror, një komunitet teknologjik i krijuar në Shkup për të rinjtë shqiptarë. Qëllimi ishte të krijohej një hapësirë ku të rinjtë të takohen, të mësojnë, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë projekte. Tani Metin po hedh një tjetër hap të madh me VRTEX, startup-in e tij të ri të regjistruar në Shqipëri.
VRTEX është përzgjedhur në programin e përshpejtimit Plug and Play Tirana Expo, pjesë e rrjetit të inovacionit me origjinë nga Silicon Valley. Për Metinin, kjo është mundësia për ta çuar idenë nga Shqipëria drejt një prej qendrave më të mëdha të teknologjisë në botë. Nga një aplikacion që ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë një tekst të shenjtë, te një startup që synon tregun ndërkombëtar. Dy projekte të ndryshme, por me të njëjtën filozofi: të ndërtosh teknologji që i shërben njerëzve. Dhe Metin beson se kur krijon diçka që i shërben komunitetit tënd, suksesi nuk vonon të vijë./abcnews.al



