Tre futbollistë të rinj nga FC Shkupi U14, Visam Ramadani, Dijar Isljami dhe Erdi Tairi, patën mundësinë të luajnë në Madrid, ku u bënë pjesë e skuadrës ndërkombëtare Teco7 në turneun Madrid Football Cup U-14.
Turneu u zhvillua më 19-21 shtator dhe mblodhi 32 ekipe nga vende të ndryshme. Në Madrid ishin edhe disa prej akademive më të njohura në futbollin botëror, mes tyre Real Madrid, Atlético de Madrid, FC Barcelona, Paris Saint-Germain, Chelsea FC, AC Milan, Manchester United dhe Arsenal FC.
Një ekip, pesë shtete
Tre lojtarët e FC Shkupi u përzgjodhën për të qenë pjesë e Teco7, një ekip që bashkoi futbollistë të rinj nga pesë shtete.
Përveç lojtarëve nga Austria, në skuadër kishte edhe talentë nga Kanadaja, Bosnja e Hercegovina, Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut.
Për Visamin, Dijarin dhe Erdin, kjo ishte një mundësi për të luajtur me futbollistë që nuk i kishin takuar më parë, por edhe për t’u përballur me një nivel tjetër të futbollit të moshave. Përtej ndeshjeve, ishte edhe një eksperiencë e re jashtë fushës, me lojtarë të moshave të tyre nga vende të ndryshme.
Visami arriti të shënoj në Madrid
Gjatë ndeshjeve të turneut, Visam Ramadani arriti të shënojë gol për fitoren e Teco7.
Edhe Dijar Isljami dhe Erdi Tairi patën paraqitje të mira, duke dhënë kontributin e tyre në lojën e ekipit gjatë turneut.
Për tre lojtarët e FC Shkupi, pjesëmarrja në Madrid ishte një përvojë që u dha mundësinë të shohin nga afër se si duket një turne ndërkombëtar i këtij niveli dhe të maten me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme.
Nga Shkupi në Madrid, tre futbollistë të rinj patën mundësinë të përfaqësojnë qytetin e tyre në një prej turneve të futbollit për të rinj. Për Visamin, Dijarin dhe Erdin, kjo është një eksperiencë që do ta mbajnë mend gjatë.







